×
  • Lajme
  • Lajme

    Deklarata e Trumpit për Kosovën, Haziri: Ka befasuar evropianët, por më së shumti Qeverinë Kurti

    Reporteri
    17 Qershor 2025 | 7:54
    Foto: Adriatik Jakupi, Reporteri

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se deklarata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka befasuar Evropën Juglindore dhe evropianët, por më së shumti, sipas tij, qeverinë aktuale të Kosovës, përkundër që Trump e ka përmendur dy herë ndërhyrjen e tij në këtë proces, gjatë fushatës së fundit elektorale në SHBA.

    Haziri tha se me deklarata e Trumpit është konfirmim i rikthimit të vëmendjes në regjionin e Evropës Juglindore, respektivisht raportit Kosovë-Serbi.

    “Duke e krahasuar me rolin amerikan në konfliktet e luftërat e njohura tashmë në botë, paralelja për ndërhyrje dhe arritjen e paqes në Kosovë dhe rikthimi i tij për shkak të dëmtimit të procesit, është paralajmërim që Kosova duhet të jetë e gatshme dhe duhet të përgatitet jashtëzakonisht shumë, që të mos e zë në befasi sikur që u zu të shtunën”.

    “Flitej që nuk është në prioritet dhe se Kosova është e harruar nga Washingtoni. Fatkeqësisht kjo qeveri ka ndërtuar raporte të kushtëzuara dhe ky raport i kushtëzuar mund të shkaktojë probleme serioze”.

    “Duhet të bëhemi gati që sa herë që vije mundësia, që të arrijmë e ta maksimalizojmë mbylljen e bisedimeve me njohjen reciproke në qendër”, shkroi Haziri.

    Tutje, ai u shpreh se nuk duhet harruar që takimi i presidentit Trump në arritjen e Marrëveshjes së 3 shtatorit 2020, është përcjellë me dy rrethana të shkaktuara.

    “E para, ndryshimet në qeveri në Kosovë, e cila ka qenë pëlqyer për takim me presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, dhe, e dyta, në rrugë e sipër, paralajmërimi i prokurorit të Dhomave të Specializuara në atë kohë, Jack Smith, për ngritjen e aktakuzës ndaj presidentit të Republikës dhe tre të tjerëve”.

    “Përkundër këtyre, është arritur marrëveshja, është vendosur edhe kriteri ekonomik dhe është nxjerrë njohja e Izraelit. Pavarësisht që presidenti Biden e ka lënë në fuqi këtë marrëveshje Trump-Hoti, qeveria Kurti e ka heshtur dhe e ka përcjellë me stigmatizim, fatkeqësisht”.

    “E fundit, jo më pak e rëndësishme, pavarësisht krejt zhvillimeve në botë, luftërave Ukrainë-Rusi, Izrael-Gaza dhe Izrael-Iran dhe tensionet e mëdha që janë ndalur me ndërhyrjen e presidentit amerikan, Indi-Pakistan e Kazakistan-Armeni, ne kemi hyrë në grupin e shteteve që Presidenti Trump do ta ketë rolin vendimtar”, shkroi Haziri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!