×
  • Lajme
  • Lajme / Marrëveshjet

    Ambasadori frencez: Rruga e Kosovës drejt NATO-s e BE-së, përmes themelimit të Asociacionit

    Reporteri
    17 Qershor 2025 | 22:11

    Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka deklaruar se rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së do të kalojë përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Ai tha se Asociacioni është pjesë e marrëveshjeve që nga viti 2013 dhe se kjo është ritheksuar edhe në marrëveshjen e Ohrit. Sipas tij, themelimi i Asociacionit do të ishte një shenjë konkrete e vullnetit të Kosovës për të përmbushur zotimet e saj ndërkombëtare.

    “Kur them nuk do të shpikim edhe njëherë rrotën, ekziston ajo që quhet ‘elefanti në dhomë’, është ky Asociacioni që lihet disi anash. Mënyra ose rruga drejt NATO-s e BE-së do të shkojë përmes themelimit të këtij Asociacioni. Do të ishte ç’orientuese që të pretendonim që ky fakt mund të lihet anash. Asociacioni është pjesë e marrëveshjeve që nga viti 2013 e tutje dhe pastaj është ritheksuar edhe në marrëveshjen e Ohrit apo përmendur aty. Gjithsesi, që duhet themeluar, po, dhe do të jetë një shenjë krejt konkrete e vullnetit të Kosovës që të përmbushë zotimet e veta. BE-ja ka bërë një lloj përpjekje që të hartojë një lloj statuti që është në përputhje me Kushtetutën, dhe nëse ka dikush që mund ta thotë që është në pajtueshmëri me Kushtetutën ose jo, është Gjykata Kushtetuese, kështu që sugjerimi ynë ka qenë që, testojeni këtë statut”, ka deklaruar Gurot në RTK.

    Edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, deklaroi se Asociacioni ka qenë obligim për Kosovën që nga viti 2013 dhe theksoi se të gjithë kryeministrat prej atëherë nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta zgjidhur këtë çështje.

    “Kemi parë disa përpjekje për të sjellë propozime në tryezë, tanimë kemi një propozim evropian që përkrahet nga 27 shtete anëtare. E vetmja sfidë për ne është që të ecim përpara. Thjesht dërgojeni në Gjykatë Kushtetuese dhe nëse është në mospërputhje me Kushtetutën, nuk ka të bëjë fare me Serbinë, kjo është Gjykata Kushtetuese e Kosovës që do ta trajtojë këtë gjë. Por që ka mosveprim e mosveprimi ka pasoja e që nuk janë aspak pozitive”, theksoi Rohde.

    Ambasadorët nuk deshën të komentojnë deklaratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se gjatë mandatit të tij kishte parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë.

    “E kam parë deklaratën e Trumpit, nuk jam në situatë të komentoj deklaratën”, tha Guerot.

    “Nuk mund të komentoj mbi cicërimat”, theksoi Rohde. “Kjo është thënë shumë herë edhe nga administrata e re amerikane – evropianët duhet të zgjidhin problemet e veta – kjo vlen besoj edhe për çështjet siç është çështja midis Kosovës e Serbisë”.

    Ambasadorët mohuan se presioni për këtë proces është vetëm mbi Kosovën.

    “Jo, nuk është mbi Kosovë, është edhe mbi Kosovën”, deklaroi Guerot.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!