×
  • Lajme
  • Lajme / Detaje

    IPK rekomandon suspendimin e nënkoloneli dhe kapiteni policor në Pejë, dyshohen për keqpërdorim detyre

    Reporteri
    20 Qershor 2025 | 13:02

    Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një nënkoloneli dhe një kapiteni policor në Drejtorinë Rajonale të Pejës, nën dyshimin për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, shkruan Reporteri.net.

    Rasti lidhet me një aksident trafiku

    “Incidenti fillestar raportohet të ketë ndodhur më 28.05.2025 kur disa zyrtarë policorë në Pejë ishin njoftuar për një aksident trafiku në rrugën “Shpëtim Bojku” dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë shoqëruar në stacion policor edhe një të dyshuar i cili nuk ishte përfshirë fare në aksident por që ka penguar zyrtarët policorë në realizimin e detyrave të tyre.

    Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast (shoqërimin e të dyshuarit në stacion) duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk është njoftuar Prokuroria për rast (në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të policisë në raste të tilla), duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, thuhet në njoftim.

    Në njoftim thuhet se hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë përderisa pritet që në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë të ndërmerren edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast./Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!