Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka njoftuar se është hequr përkohësisht “bllokada” për regjistrimin e automjeteve, për çka ishte kusht që fillimisht të paguheshin të gjitha gjobat, shkruan Reporteri.net.
Sipas njoftimit, Agjencia e Regjistrimit Civil ka njoftuar se është marrë vendimi për pezullimin e përkohshëm të këtij vendimi deri në zgjidhjen e kësaj çështje.
Në takimin e zhvilluar mes zyrtarëve të DHTIK’së dhe ARC’së thuhet se është diskutuar rreth problemeve me të cilat po përballen bizneset dhe sidomos bizneset veturave me qira, lizingut, taksive, transportuesve, etj, të cilave po u pamundësohet regjistrimi i automjeteve, shkaku i gjobave të papaguara.
“Anëtarja e Bordit, Aida Selimi – Shabani, ka shprehur shqetësimin e DhTIK-së dhe bizneseve të saj, në lidhje me këtë veprim, duke vënë theksin në dëmin që po u shkaktohet bizneseve nga aplikimi i një dispozite (Neni 89, paragrafi 4 i Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor), e cila kushtëzonte regjistrimin me pagesën e gjobave duke i bllokuar flotat e automjeteve të tyre, si dhe duke i obliguar që të paguajnë të gjitha gjobat përnjëherë duke i vendosur në situatë të vështirë financiare e pa mundësi ankese.
Selimi – Shabani, ka shtuar se ky kushtëzim shkel të drejtat themelore të personave fizik/juridik siç është e drejta e pronës, dhe si mase është joproporcionale, duke inkurajuar gjithashtu në mënyrë të tërthortë rritjen e numrit të automjeteve të paregjistruara që qarkullojnë në trafik”, thuhet në njoftim./Reporteri.net