Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikimin nga Kuvendi që nga muaji maj i vitit të kaluar dhe se sipas tij ky lloj financimi është i veçantë pasi s’ka kamatë, shkruan Reporteri.net.
Ai në Facebook ka thënë se Kosova është ndër shtetet e rralla që ka përfituar falë reformave të ndërmarra dhe menaxhimit të mirë të financave publike, ndërsa siç thotë ai partitë opozitare të legjislaturës së kaluar kishin refuzuar ta votonin ratifimin, e tash sipas tij po e pamundësojnë konstituimin e legjislaturës së re, duke “prolonguar kështu ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”.
“Nëse marrëveshja për 90 milionë euro me kamatë 0% nuk ratifikohet deri në shtator, ekziston rreziku shumë i lartë që këto mjetet t’i merren Kosovës dhe ti jepen një shteti tjetër. Prandaj është jetike që opozita të reflektojë dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit, e pastaj edhe të votojë këtë marrëveshje. Inatet politike nuk do të duhej t’i kushtonin shtetit tonë”, ka shkruar mes tjerash ai.
Lidhur me këtë ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami gjë për të cilën ka thënë se Murati po dezinformon.
Sipas saj, bllokuesit janë vetë VV-ja, dhe po tentojnë t’ua hedhin fajin të tjerëve për krizën që e kanë krijuar vetë.
“Para se të flasësh për koston oportune të një kredie që si ministër ke dështuar t’i bësh votat për ta ratifikuar, pse nuk flet për qindra miliona euro grante nga BE-ja, që vendi nuk mund t’i shfrytëzojë prej dy vitesh, pikërisht për shkak të masave ndëshkuese që kanë ardhur si pasojë e qeverisjes suaj arrogante dhe destruktive”, ka shkruar Bajrami.
“A i ke parë sot tymtarët e KEK-ut çfarë po nxjerrin? Pse nuk flet për grantin e BE-së rreth 70 milionë euro për investime në KEK, kryesisht për filtrat, mjete që nuk erdhën për shkak të masave ndeshkuese të BE-së.
“E keni shkatërruar këtë vend, dhe përsëri keni fytyrë të dilni publikisht me broçkulla, duke u përpjekur të shmangni përgjegjësinë për dështimet tuaja të përditshme për me tepër se katër vjet”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
/Reporteri.net/