Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar menaxhimin e Testit të Maturës nga Ministria e Arsimit. Ajo thekson se testi ka humbur kuptimin si vlerësim i dijes për shkak të manipulimit dhe kopjimit, që po e bëjnë rezultatin të pavlefshëm, shkruan Reporteri.net.
Sipas Lushakut-Sadriu, testi nuk është më një sfidë teknike, por një garë e padrejtë ku mashtrimi shpërblehet dhe kjo situatë përsëritet çdo vit. Ajo kërkon përgjegjësi nga ministrja në detyrë e Arsimit në detyrë.
Deputetja përmend se pyetjet e testit janë shpërndarë në rrjete sociale, ndërsa MASHTI ka heshtur. Ajo shton se nxënësit e ndershëm janë në ankth, prindërit të zhgënjyer, mësuesit pa zë, dhe shteti po i lë fëmijët në dorë të fatit.
Postimi i plotë:
Këtë javë, 20.000 nxënës maturantë i janë nënshtruar Testit të Maturës. Ky Test ka humbur kuptimin tash e disa vite për shkak të menaxhimit të dobët nga Ministria e Arsimit, Teknologjisë e Inovacionit.
Manipulimi dhe kopjimi po e bëjnë të pavlefshëm rezultatin e këtij Testi!
Nuk është më një vlerësim i dijes, as sfidë teknike, por një garë e padrejtë, ku mashtrimi po shpërblehet. Dhe kjo situatë po përsëritet çdo vit!
Ministrja e Arsimit në detyrë duhet të jep përgjegjësi! Nën udhëheqjen e saj ky Test është kthyer në një proces të turpshëm, ku mbizotëron kaosi dhe mashtrimi. Ajo dhe stafi i saj duhet të tregojnë se pse nuk janë marrë masa për menaxhim të sigurt teknik? Pse nuk është garantuar mbikëqyrja dhe menaxhimi i pyetjeve në formë të sigurt? Pse po hesht, ndërsa testet qarkulluan në rrjete sociale? Heshtja e MASHTI-t është fajësi!
Sot, nxënësit e ndershëm janë në ankth. Prindërit janë të zhgënjyer. Mësuesit pa zë. Dhe shteti po heshtë e po i lë fëmijët në dorë të fatit.
Fëmijët tanë meritojnë arsim që shpërblen DIJEN, e jo mashtrimin.