Pavarësisht konflikteve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, tregjet financiare ndërkombëtare po reagojnë jashtë pritshmërive, duke ardhur në rritje.
Çmimi i naftës Brent ka rënë me 7%, duke u stabilizuar në 71 dollarë për fuçi, ndërsa edhe çmimi i gazit në Evropë ka shënuar rënie të lehtë prej 0.7%. Ari, shpesh konsideruar si strehë e sigurt në kohë krizash, ka mbetur i qëndrueshëm, ndërkohë që obligacionet qeveritare në SHBA, Britani dhe eurozonë po regjistrojnë rendimente më të ulëta, duke reflektuar njëfarë lehtësimi, raporton Corriere della Serra.
Kjo ndodh në një moment kur Shtetet e Bashkuara janë përfshirë drejtpërdrejt në një konflikt me dy superfuqi të Lindjes së Mesme, ndërsa 408 kilogramë uranium i pasuruar janë zhdukur dhe mund të përdoren për ndërtimin e disa bombave të rrezikshme. Në sfond, Donald Trump ka rritur detyrimet financiare të SHBA në nivelet më të larta që nga viti 1940, dhe negociatat tregtare me fuqitë e tjera ekonomike globale po zhvillohen në heshtje.
Pse nuk frikësohen tregjet?
Një arsye kryesore është reagimi i kontrolluar i Iranit. Pasi bombarduesit amerikanë B-2 goditën objektet bërthamore iraniane, shumë analistë prisnin një hakmarrje të ashpër. Por Teherani reagoi simbolikisht, njësoj si pas vrasjes së gjeneralit Soleimani në vitin 2020, duke lëshuar raketa në baza amerikane pa shkaktuar dëme të mëdha. Kjo shmangu përshkallëzimin e mëtejshëm dhe nuk u mor asnjë hap për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit.
Aleatë në treg: Teknologjia dhe lufta
Siç raporton Corriere della Sera, investitorët kishin parashikuar këtë skenar dhe nuk u kapën në befasi. Ata jo vetëm që shmangën panikun, por po përfitojnë nga teknologjia. Kompanitë si Nvidia, gjiganti i gjysmëpërçuesve dhe inteligjencës artificiale, kanë shënuar rritje marramendëse prej 44% që nga prilli, duke shtuar rreth 1,500 miliardë dollarë në kapitalizim.
Investitorët dhe dëshira për luftë
Një tjetër faktor që po e mban Wall Street në vlera pozitive është shtytja për prodhim ushtarak, pasi historikisht, tregjet kanë përjetuar rritje edhe gjatë konflikteve të mëdha: gjatë Luftës së Dytë Botërore, Wall Street u rrit me 76% ndërsa trupat amerikane ishin në Evropë.
Sot, investitorët po qëndrojnë të pozicionuar: do të reagojnë nëse kriza thellohet, por nuk do të ndëshkojnë tregjet paraprakisht. Për më tepër, elita politike iraniane është e paqëndrueshme dhe e ndarë mes krahut që kërkon kompromis dhe elementëve radikalë, çka e bën çdo parashikim shumë të pasigurt.
Rritja e bursave, ulja e frikës?
Indeksi S&P 500 është vetëm 2% poshtë rekordit historik, pasi ka rikuperuar 20% që nga prilli. Në Evropë, bursat mbeten pranë niveleve më të larta, edhe pse me lëkundje të lehta. Për shembull, indeksi FTSE-MIB në Milano u mbyll me një rënie modeste prej 1%, vetëm një ditë pas sulmeve të SHBA ndaj Iranit.