Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se që në ditët e para të përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme, ka evakuar disa qytetarë të Kosovës që ndodhedhin në Izrael, përmes Jordanisë dhe Egjiptit. 13 ndodhen akoma atje, por që s’kanë shprehur interesim për evakuim, shkruan Reporteri.net.
Kjo thuhet se është bërë në koordinim të afërt me autoritetet izraelite dhe ambasadat e Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Egjiptit në Izrael.
MPJD ka thënë se po e ndjek nga afër rastin e një shtetaseje të Kosovës që ndodhet në trajtim mjekësor në spitalin “Soroka” në qytetin Be’er Sheva, që u sulmua javën e kalaur.
“Fatmirësisht, ajo nuk ka qenë e pranishme gjatë sulmit dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ambasada e Kosovës në Izrael është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e saj dhe po punon për realizimin e evakuimit të tyre sapo të krijohen kushtet përkatëse”, thuhet në njoftim.
Një shtetas tjetër i Kosovës thuhet se është aktualisht në proces të largimit nga Izraeli përmes Egjiptit, me mbështetjen e Ambasadës.
“Sipas të dhënave të fundit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Izrael, në territorin izraelit ndodhen edhe 13 qytetarë të tjerë të Republikës së Kosovës, të cilët deri më tani nuk kanë shprehur interesim për evakuim”, thuhet në njoftim.
MPJD thotë se Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael mbetet në gatishmëri të plotë dhe e angazhuar për t’iu përgjigjur çdo kërkese për ndihmë nga qytetarët, duke koordinuar nga afër me autoritetet izraelite dhe partnerët ndërkombëtarë për çdo mundësi të mëtejme evakuimi.
“Duke qenë se situata e sigurisë në Izrael vijon të përkeqësohet, MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që ndodhen në këtë territor të tregojnë kujdes maksimal dhe të qëndrojnë vetëm në zona të sigurta. Ju lutemi që me përpikëri të ndiqni udhëzimet dhe paralajmërimet e publikuara nga Komanda e Mbrojtjes së Brendshme të Izraelit”, përfundon njoftimi./Reporteri.net