Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i ka reaguar sërish deputetit të VV-së, Hekuran Murati i cili i tha asaj se LDK-ja duket se assesi s’po mund të shkëputet nga PDK-ja dhe Lista Serbe, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ajo i ka thënë Muratit të mos fshihet pas PDK-së e Listës Serbe, pasi “Mafia energjetike është elefanti në dhomë”.
“Mafia energjetike është elefanti në dhomë – mos u fshih pas PDK-së, Listës Serbe dhe mashtrimeve për koalicione. Qytetarët duan përgjigje, jo prralla”, ka shkruar Bajrami.
Në reagimin e saj në Facebook, Bajrami ia ka parashtruar disa pyetje deputetit të VV-së, lidhje me sektorin e energjisë, ndërsa i ka rekomanduar të konsultohet me Martin Berishajn dhe Kurtin, duke i përmendur intervistimin nga Prokuroria Speciale.
“Pse e latë EFT-në dhe NOA-n të kontrollojnë tregun? Pse u lejua ky monopol me pasoja kaq të rënda ekonomike dhe sociale? Konsultoje mikun e deputetit Kurti, z. Martin Berishajn se sot kish ardhë për ”vizitë” në Prishtinë”, thotë Bajrami.
*Shprehja “elefanti në dhomë” është një metaforë që përdoret për të përshkruar një çështje të madhe, të dukshme dhe të rëndësishme, që të gjithë janë të vetëdijshëm për të, por askush nuk e përmend ose nuk e trajton*
/Reporteri.net/