×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rrëfimi i motrës së dy vëllezërve të vrarë: Si ndodhi krimi i rëndë në pak minuta

    Reporteri
    03 Tetor 2019 | 9:07

    Detaje të rënda dalin në dritë nga krimi i trefishtë që tronditi dje Klosin dhe mbarë opinionin publik, ku Sali Dakuci ka vrarë me armë zjarri vëllanë e tij, Kujtim Dakuci dhe nipin e më pas veten. Krimi makabër në fshatin Xibër kishte si zanafillë të sherrit një gardh që ndante dy banesat e vëllezërve Dakuci.


    Gazetari Enver Doçi pasi ka udhëtuar dje drejt vendit të ngjarjes, ka mundur të sigurojë ekskluzivisht për ‘BalkanWeb’ një dëshmi tronditëse të motrës së viktimave, Life.

    Kjo e fundit kishte udhëtuar nga Manza e Durrësit, ku ishte martuar, drejt Klosit, për të vizituar babain e sëmurë, 85 vjeç.

    Mes lotësh Lifja, në kushte të tronditjes së thellë psikologjike, tregoi për Doçin se e gjithë maskara kishte ndodhur për afro 20 minuta, ku 3 njerëz nga familja e saj mbetën të vrarë për ca drurë gardhi.

    Ajo pohoi se kishte dëgjuar dy vëllezërit e saj teksa debatonin me njëri-tjetrin dhe pasi kishte ndërhyrë u kishte thënë; “Mos u zini për gardhin, ejani se keni babain sëmurë”.

    Lifja mes të tjerash ka treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes së rëndë, ku si fillim i vrarë mbeti Kujtimi, pastaj nipi i saj, Flogerti dhe më pas Saliu vrau veten (autori i krimit).

    “Erdha për vizitë në Xibër se kemi babain sëmurë. I dëgjova të dy vëllezërit duke u zënë dhe dola jashtë e u thash; Mos u zini për gardhin, por eja shihni babain se është sëmurë.

    Duke u ngjitur nëpër shkallë (banesa e vjetër dy-katëshe), pasi ecja me ngadalë se kam sëmurë këmbën, dëgjova një krismë arme. Pash nga sipër Kujtimin të shtrirë përtokë. Më pas djali i Kujtimit, nipi im, iu sul Saliut duke thënë; “ça bërë?”.

    Dhe më pas dëgjova krismën tjetër…e pash nipin që u shtri përtokë.

    Më pas Saliu u largua nga banesa dhe u fut në një parcelë më misër dhe më pas kur pas 20 minutash dëgjova një tjetër krismë brenda tek banesa e tij (një kuzhinë e vjetër).

    Kur shkuam aty bashkë me gruan e Saliut, e pamë atë përtokë të mbuluar në gjak dhe pa shenja jete. Kishte qëlluar veten me plumb në kokë”, rrëfen mes lotësh motra e dy viktimave.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!