×
  • Lajme
  • Lajme

    Albin Kurti merr në parti njeriun që u arrestua për prodhim ilegal të barnave

    Reporteri
    03 Tetor 2019 | 11:45

    Në nëntor të vitit 2013 ishte arrestuar Azem Lajçi, një nga bosët e industrisë farmaceutike të Kosovës.


    Lajçi ishte arrestuar si i dyshuar për prodhim ilegal të produkteve farmaceutike.

    Vet Lajçi kishte pranuar se ka prodhuar barna në mënyrë ilegale siç thoshte për të “mbetur gjallë”.

    “Kam prodhuar barna… por jo barna. Kam prodhuar alkool 70’s, hidrogjen, rivanoll, acid borik, alkool dezinfektues, bar për zhugë , pomada sipërfaqësore, pika për hundë, pika për dhëmbë, pudër të lëngët”, ka thënë Lajçi në emisionin “Puls” të KTV-së.

    “I kam prodhuar në mënyrë ilegale. Kam prodhu me met gjallë, me rrejt s’muj …”, kishte deklaruar ai.

    Por ky skandal fare nuk e ka penguar kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, që ta marrë pranë vetës.

    Për më tepër Kurti në njoftimin e bërë për aderimin e Lajçit ka folur fjalë miradie për të dhe sigurisht nuk e ka përmendur skandalin e tij, shkruan Reporteri.net.

    “Azem Lajçi mban titullin Doktor i Shkencave të Kimisë. Studimet themelore i ka përfunduar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në UP në Kosovë, kurse magjistraturën dhe doktoratën në Universitetin e Zagrebit. Ai ka publikuar më shumë se 30 punime shkencore brenda dhe jashtë vendit, si dhe ka shkruar tekste universitare për studentët e mjekësisë, stomatologjisë dhe biologjisë. Azemi tani ligjëron në Fakultetin e Mjekësisë, në UP, lëndët Kimi Mjekësore dhe Kimi e Përgjithshme. Me dijen dhe përvojën e tij në shkencë e në hulumtime Lëvizja është më e plotë dhe më e pasur”, ka shkruar Kurti.

    Policia e Kosovës kishte konfirmuar arrestimin e Lajçit me ç’rast kishte dërguar mediave edhe fotot e laboratorit ku prodhoheshin barërat.

    “Me 6 nëntor 2013 Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Agjencioni Kosovar për Produkte Medicinale (AKPM), bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, kanë realizuar një operacion të përbashkët, me ç’rast kanë arrestuar një person të dyshuar, me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘kontrabandim me mallra’ (produkte farmaceutike) ‘tregti e ndaluar’, ‘prodhimi dhe shpërndarja e prodhimeve të dëmshme mjekësore’ dhe ‘mashtrimi i konsumatorëve’”, thuhet në njoftim, duke dhënë inicialet e të arrestuarit. Personi i arrestuar është: A.L. i lindur me 1956. Po ashtu gjatë këtij operacioni është kryer kontrollimi i tetë objekteve dhe lokaleve përcjellëse në vende të ndryshme të Kosovës, prona të tetë personave të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë. Gjatë bastisjes në këto lokale janë konfiskuar në cilësi të provave materiale sasi të konsiderueshme të produkteve farmaceutike që dyshohet të jenë mallra të kontrabanduara”, thuhej në njoftimin e policisë.

    Kujtojmë se rasti kishte vazhduar në procedurë të rregull. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!