×
  • Lajme
  • Lajme / Prokuroria Speciale

    Aktakuzë ndaj dy serbëve për krime lufte në fshatin Kaçanik i Vjetër

    Reporteri
    30 Qershor 2025 | 10:41

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër të pandehurve J.J dhe V.T për veprën penale “Krim i Luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar sipas nenit 142 të Ligjit Penal të RSFJ-së, në fuqi gjatë kohës së kryerjes së veprës penale.

    Të pandehurit J. J dhe V.T akuzohen për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Kaqanik i Vjetër, në komunën e Kaqanikut.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë kryer vrasjen e dy viktimave R.E dhe M.H.

    Hetimet vërtetuan se gjatë kësaj periudhe J.J dhe V.T kanë rrahur, kanë shkaktuar maltretime fizike dhe psikike, dhe kanë plaçkitur pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit Sh. D dhe viktimave, tani të ndjerëve M.H dhe R. E.

    Në mbështetje të neneve 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria Speciale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të mbajë gjykimin në mungesë për shkak se të pandehurit J.J dhe V.T janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

    Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për të siguruar drejtësi për viktimat dhe për t’i vënë para përgjegjësisë kryesit e këtyre veprave penale, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!