×
  • Lajme
  • Lajme / Kronikë

    Goditi policët me shqelma gjatë ndalimit, arrestohet 21 vjeçari në Kaçanik

    Reporteri
    01 Korrik 2025 | 9:15

    Një 21-vjeçar është arrestuar nga Policia e Kosovës mbrëmjen e së hënës në qytetin e Kaçanikut, nën dyshimet për sulm ndaj personave zyrtarë dhe armëmbajtje pa leje.

    Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 30 qershor, rreth orës 23:00, në rrugën “Vëllezërit Çaka”, ku i dyshuari ka kundërshtuar me forcë një kontroll policor. Gjatë tentativës për arrestim, i riu ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë, duke i goditur me shqelma në pjesën e këmbëve.

    Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe e ka shoqëruar të dyshuarin në stacionin policor të Kaçanikut. Gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, ai ka pranuar veprën penale për të cilën ngarkohet.

    Gjatë kontrollit në veturën e tij, janë gjetur edhe dy thika, të cilat i dyshuari i kishte në posedim pa leje.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar hetuesit rajonalë që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore. Me urdhër të tij, i dyshuari, i identifikuar me inicialet B.M., është ndaluar për 48 orë.

    Policia ka bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vijim. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!