Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli ka reaguar pasi Gjykata Themelore e Prishtinës paralajmëroi se do të përsëritet urdhëresa për sjellje me detyrim në seancë, dhe eventualisht do të shqyrtohet mundësia e udhërarrestit apo paraburgimit, shkruan Reporteri.net.
Për këtë, deputetja e VV-së ka thënë se s’ka marrë ftesë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për seancë për çështjen e gazit lotsjellës.
“Lidhur me raportimet për mungesën time në seancën e fundit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dua t’ju informoj se sapo kam dërguar një shkresë zyrtare drejtuar gjykatës, përmes së cilës kam kërkuar sqarime dhe dokumentim mbi:
1. Dorëzimin (apo mungesën e tij) të ftesës zyrtare për seancën,
2. Procedurat e ndjekura nga ana e shërbimeve përkatëse për komunikim me mua,
3. Çdo hap të mëtejmë që gjykata planifikon të ndërmarrë në këtë rast.
Nuk kam pranuar asnjë ftesë zyrtare dhe mbetem e gatshme të bashkëpunoj me drejtësinë, por pres që institucionet të veprojnë me rregull, korrektësi dhe transparencë”, ka shkruar në Facebook Pacolli.
Në mungesë të deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, për herë të dytë ka dështuar të mbahet seanca të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ajo bashkë me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputeten, Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-s.
/Reporteri.net/