Cassie Ventura, dëshmitarja e tretë në gjyqin e Sean “Diddy” Combs ka reaguar lidhur me verdiktin e jurisë.
Avokati i saj, Doug Widor, i dërgoi një letër gjykatës ku i kërkonte të mos lejonte lirimin me kusht të reperit. Në letër, ai i është referuar Aktit të Reformës së Lirimit me Kusht në SHBA që thotë se dënimi është “i detyrueshëm” për akuzat që Combs është shpallur fajtor.
Cassie që ishte në lidhje gati dhjetë vjeçare me Diddyn, “beson se Combs ka gjasa të përbëjë rrezik për viktimat që dëshmuan në këtë çështje, përfshirë veten dhe komunitetin”, shtoi ai.
Avokati publikoi një deklaratë pas shpalljes fajtor të reperit për dy akuzat e transportimit me qëllim prostitucionin dhe shfajësimin për trafikimin seksual, mashtrimin dhe zhvatjen.
“I gjithë ky proces kriminal nisi kur klientja jonë Cassie Ventura pati kurajën të ngrinte padinë e saj në nëntor të vitit 2023. Edhe pse juria nuk e shpalli Combs fajtor për trafikimin seksual të Cassie përtej dyshimit të arsyeshëm, ajo çeli shtegun që juria ta shpallte fajtor për transportimin me qëllim prostitucionin”, shkroi ai.
Widor lëvdoi “shenjën e pashlyeshme të Cassie në industrinë e argëtimit dhe luftën për drejtësi… duke folur hapur për përvojën e saj”, ndërsa theksoi “kurajën e jashtëzakonshme” dhe “forcën e pakundërshtueshme.”
“Kjo çështje provoi se ndryshimi është vonuar shumë dhe ne duhet të vazhdojmë të luftojmë në mbrojtje të të mbijetuarve”, përmbyllet deklarata.
Jashtë gjykatës, avokati u tha gazetarëve se Cassie “është mirë” dhe “e kënaqur” që ish-partneri i saj po përballet “me një dënim të konsiderueshëm” duke “u akuzuar” për dy krime federale.