Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish në tentimin e radhës për ta konstituuar legjislaturën e nëntë.
Seanca është thirrur nga ora 11:00, ku edhe pas aktgjykimit të ri të Gjykatës Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje akoma s’ka arritur ta zgjedh Kryeparlamentarin.
Pas aktgjykimit të ri, i cili i ka obliguar deputetët që ta konstituojnë kuvendin brenda 30 ditësh, VV-ja herën e parë propozoi Albulena Haxhiun për Kryetare të Kuvendit, e cila i mori vetëm 57 vota.
Menjëherë pas dështimit për ta zgjedhur Haxhiun kryetare, VV-ja provoi me Donika Gërvallën, e cila mori 56 vota, pasi Shqipe Selimi nuk mori fare pjesë në votim.
Shkak tha se ishin dy statuse të Gërvallës të vitit 2020, në të cilat ajo e akuzonte bashkëshortin e Shqipes, Rexhep Selimin si njeri të botës së krimit.
Ndërsa, në seancën e së premtes, Lëvizja Vetëvendosje tentoi me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin, por që edhe ai i mori vetëm 57 vota.