Kryeparlamentari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka konsideruar Kuvendin si të konstituuar dhe ka caktuar mbledhjen e parë të Kryesisë, ndonëse dështoi zgjedhja e nënkryetarit serb, shkruan Reporteri.net.
Kuvendi konsiderohet i konstituar vetëm pas zgjedhjes së pesë nënkryetarëve. Nga radhët e komunitetit serb, asnjë prej kandidatëve s’arriti t’i marrë votat e nevojshme.
“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër sit ë vazhdojmë…meqenëse nuk ka mundësi tjetër se si të vazhdohet tutje, kjo seancë konsiderohet e mbyllur. Pas përmbylljes së seancës konstituive, konsideroj që Kuvendi duhet ta vazhdojë punën siç parashihet me Kushtetutë”, tha Basha.
Mbledhjen e caktoi për të hënën.
“Se si të veprohet tutje në lidhje me punën tonë si Kuvend, konsideroj që do t’i konsultoj anëtarët tashmë të zgjedhur të Kryesisë, mbledhje që do të mbahet të hënën në orën 13:00””, tha Basha.
Procesi për zgjedhjen e nënkryetarit me short vazhdoi edhe sot.
Të parës i ra shorti deputetes Miljana Nikolliq. Ajo nuk mori asnjë votë për në të tri herat kur emri i saj u hodh në votim radhazi.
Votat e nevojshme dështuan t’i marrin edhe Nenad Rashiq dhe Igor Simiq./Reporteri.net