×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Ngërçi politik

    PDK-ja njofton se s’do të marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë: Kuvendi ende nuk është i konstituuar

    Reporteri
    30 Gusht 2025 | 16:27

    Partia Demokratike e Kosovës ka thënë në seancën e sotme, kryetari i Kuvendit shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa u zbatuar në tërësi Neni 67 i Kushtetutës së Kosovës.

    Nga PDK kanë thënë se për këtë parti Kuvendi ende nuk është i konstituuar, sepse nuk është zgjedhur Kryesia e tij në përbërjen e plotë kushtetuese.

    Në një njoftim për media nga kjo parti kanë bërë të ditur se e konsiderojnë të pakuptimtë ftesën për takim të Kryesisë së Kuvendit që nuk është konstituuar dhe nuk merr pjesë në takime të tilla, të cilat sipas PDK-së i shërbejnë vetëm agjendave partiake e jo interesit të shtetit.

    “Sot, Kryetari i Kuvendit shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa u zbatuar në tërësi Neni 67 i Kushtetutës së Kosovës. Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kuvendi ende nuk është i konstituuar, sepse nuk është zgjedhur Kryesia e tij në përbërjen e plotë kushtetuese.

    Në këto rrethana, PDK e konsideron të pakuptimtë ftesën për takim të Kryesisë së Kuvendit që nuk është konstituuar dhe nuk merr pjesë në takime të tilla, të cilat i shërbejnë vetëm agjendave partiake e jo interesit të shtetit”, thuhet në komunikatën e PDK.

    Tutje PDK thotë se mori mbi vete përgjegjësinë institucionale duke votuar për Kryetarin e Kuvendit, me qëllim të vetëm zhbllokimin e institucionit më të lartë përfaqësues të qytetarëve, por thekson se veprimet pasuese të partisë së parë po dëshmojnë frikën nga hyrja e ligjshme në afatet kushtetuese për të provuar krijimin e qeverisë së re.

    “PDK vlerëson se zvarritjet e qëllimshme në procesin e themelimit të institucioneve shtetërore, të shkaktuara nga partia e parë, janë skajshmërisht të rrezikshme për Republikën e Kosovës.

    Edhe pse nuk kishte detyrim kushtetues apo politik, Partia Demokratike e Kosovës mori mbi vete përgjegjësinë institucionale duke votuar për Kryetarin e Kuvendit, me qëllim të vetëm zhbllokimin e institucionit më të lartë përfaqësues të qytetarëve.

    Megjithatë, veprimet e mëtejshme dhe skemat populiste të Vetëvendosjes po e dëshmojnë qartë frikën e saj nga hyrja e ligjshme në afatet kushtetuese për të provuar krijimin e qeverisë së re. Kjo qasje, me fajin e tyre, po e shtyn Kosovën drejt një krize të re institucionale, pasojat e së cilës do t’i bartin shteti dhe qytetarët tanë”, thuhet në komunikatë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!