Ardian Shala, kandidat për kryetar të Komunës së Suharekës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka vazhduar fushatën e tij për zgjedhjet më 12 tetor me takime të shumta me qytetarë dhe fermerë të komunës.
Gjatë ditës së premte, Shala ka vizituar fermerët dhe prodhuesit vendor në fshatrat Mohlan, Çadrak, Vërshec dhe Krushicë e Ultë, ku ka biseduar për sfidat dhe nevojat e tyre. Ai ka prezantuar programin e tij, me fokus në zhvillimin e bujqësisë, infrastrukturës dhe përfshirjen aktive të qytetarëve.
“Sot, së bashku me ekipin tonë dhe kandidatë për Asamblenë Komunale, takuam banorët e kësaj zone në një takim të përbashkët në shkollën lokale. Prezantuam programin ASHE, me fokus në zhvillimin e bujqësisë, infrastrukturës dhe përfshirjen aktive të qytetarëve. Interesim të veçantë pati edhe projekti ‘Bjeshka dhe Qyteti’, që synon ta lidhë zonën me mundësi të reja ekonomike dhe turistike,” ka thënë Shala.
Gjatë takimit me fermerët dhe prodhuesit vendorë, në Ekspozitën e Produkteve Bujqësore, Shala ka premtuar krijimin e kushteve më të mira për prodhimin vendor. Shala ka vlerësuar përkushtimin e fermerëve për zhvillimin e bujqësisë në komunë.
“Si kandidat për kryetar komune nga LDK, mbështetja për bujqit dhe zhvillimi rural do të jenë ndër prioritetet e mia kryesore. Do të punojmë që të krijojmë kushte më të mira për prodhimin vendor,” ka shtuar Shala.