Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ka dallime me kandidatin e PDK-së, Uran Ismaili.
Rama tha se ai është kryetar i projekteve të mëdha, kurse Ismaili flet për gjëra që i kryen një drejtori në kryeqytet.
“Kemi ndryshime të mëdha, unë jam kryetar i projekteve të mëdha, Ismaili përmend gjëra të vogla që i bën një drejtori në kryeqytet. Unaza është 206 milion, 86 milion i kemi falë prej komunitetit evropian. Këto autostradat, rrugët dhe ky projekt është futur aty dhe 40% janë falas”, tha Rama në Klan Kosova.
Ai ka treguar projektet që ka realizuar me qëllim të zhbllokimit të trafikut.
Rama ka thënë se pjesë e kësaj është unaza e brendshme.
“Unazën e brendshme e kemi në përfundim e sipër që është pjesë e zgjidhjes së problemit të trafikut, 10 shkolla po i ndërtojmë, tri kanë përfundu. Transporti i ri i Prishtinës, është në fazë që kemi bërë biletën e integruar transportin urban me sektorin privat, kemi unifikuar këto dy, për të mirën e qytetarëve. Sot ofrojmë një biletë të unifikuar, e qytetarët mund të udhëtojnë në të gjitha pjesët e kryeqytetit”, tha ai në Klan Kosova.
Rama premtoi se priten të vijnë edhe 91 autobusë.
“Kemi punuar që tri vite në projekt, së bashku me konsulent, ka qenë proces i analizuar, është rrjeti i ri i transportit të Prishtinës, ku secilën lagje e kemi me transport urban, tash kemi edhe minibusët 9 metërsh, dhe 12-metërshat nuk kanë mund me lëviz në gjitha pjesët. Edhe 91 autobusë vijnë deri në fund të vitit, 121 autobusë të cilët vetëm se janë pjesë e këtij procesi. Në janar të gjitha fshatrat do të kenë autobusët në të gjitha pjesët e kryeqytetit. Kemi edhe sistemin e ri TRIP, në bashkëpunim me komuna si Fushë Kosova, Obiliqi, Fushë Kosova, ta zgjerojmë trafikun”, tha Rama.
Ai përmendi edhe mësimin tërëditor, si masë në zhbllokimin e trafikut.