Juristja e medias, Furtura Kusari, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili ka refuzuar akreditimin e gazetarëve të Gazetës Online Reporteri.net për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Kusari e ka cilësuar vendimin si të paligjshëm, kundërthënës dhe skandaloz, duke theksuar se vetë dokumentacioni i paraqitur nga mediumi është vlerësuar si i rregullt nga sekretariati i KQZ-së.

“Sipas vendimit, dokumentacioni i ReporterI.net është në rregull dhe mediumi ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara. Por disa anëtarë të KQZ-së kanë votuar kundër, duke u mbështetur në dyshime absurde për ‘vërtetësinë e mediave’ dhe ‘origjinën e dokumenteve’,” ka shkruar Kusari.

Reklamë

Ajo ka theksuar se këto arsyetime janë “jo vetëm absurde dhe të turpshme, por edhe skandaloze në një shtet që ka obligim ligjor të garantojë lirinë e medias”.

“Edhe regjimet më autoritare në Europë, përfshirë njerëzit e Orbanit në Hungari, janë më kreativë në arsyetimet e presioneve ndaj mediave. Kjo është një formë e qartë e censurës shtetërore,” ka deklaruar Kusari.

Juristja e medias ka shtuar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka “punën shumë të lehtë”, pasi verifikimi i ekzistimit të mediumit bëhet përmes regjistrimit në ARBK dhe anëtarësimit në KMSHK.

“Besoj fuqishëm se PZAP-i nuk do të lejojë që KQZ-ja, për agjenda të poshtra dhe shtypëse politike, të kufizojë qasjen e mediave në një proces jetik për demokracinë siç janë zgjedhjet,” ka përfunduar ajo.

Reklamë

E shqetësuar me këtë vendim të KQZ-së është edhe Gazeta online Reporteri.net (R Media L.L.C.).

Ndonëse në vendimin e KQZ-së theksohet se pas verifikimit të dokumentacionit mediumi plotëson kriteret për tu akredituar për zgjedhjet e së dielës, “në takimin e KQZ-së të mbajtur më 9 tetor 2025 është hapur diskutimi në lidhje me aplikimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare, ku disa anëtar të KQZ, kanë ngritur dyshime mbi vërtetësinë e mediave të paraqitura, përfshirë origjinën dhe legjitimitetin e dokumenteve të dorëzuara”.

Andaj – thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi – “me rastin e votimit, media e lartcekur [Reporteri – R Media L.L.C.] nuk ka marrë votat e nevojshme për akreditim, nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve“.

Vendimi i KQZ-së për mosakreditimin e gazetës Reporteri, reagon Flutura Kusari: Presion ndaj medias, formë e qartë e censurës

Reklamë

Reporteri.net e sheh këtë vendim si të jashtëligjshëm e të papranueshëm dhe që dëmton drejtpërdrejt funksionimin dhe lirinë e medias si vëzhguese e pavarur e proceseve demokratike.

Gazeta online Reporteri.net siguron opinion publik se mediumi i themeluar në mars të vitit 2019, që drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj, është i regjistruar në Agjencinë e Regjistrit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), si dhe si është anëtar i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), dhe se dokumentet e dorëzuara në KQZ janë legjitime.

Reporteri.net apelon që KQZ të rishqyrtojë këtë vendim, në mënyrë që të garantohet trajtim i barabartë për të gjitha mediat dhe të sigurohet një proces zgjedhor transparent, ku informimi i drejtë dhe i pavarur të mos vihet asnjëherë në pikëpyetje.

Reklamë

Reporteri.net të premten, përveç që do të dorëzojë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për vendimin e KQZ-së do t’i njoftojë zyrtarisht edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe organizatat tjera që mbrojnë lirinë e medias, si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë që ndërvite mbështesin mediumin dhe gazetarinë e pavarur e profesionale.

Përveç Gazetës Online Reporteri.net nuk janë akredituar edhe disa media, shumica në gjuhën serbe. Për këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

AGK është thellësisht i shqetësuar me vendimin e paprecedent të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos akredituar asnjë media në gjuhën serbe për përcjelljen e zgjedhjeve të 12 tetorit. “Kërkesat për akreditim si vëzhgues të dhjetëra mediave në gjuhën serbe nga Kosova, janë refuzuar në bllok gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së. Nga diskutimet e anëtarëve në mbledhje, refuzimi duket i natyrës politike dhe etnike. AGK-ja e sheh këtë vendim si të papranueshëm dhe që shkon në kundërshtim me vlerat demokratike të Kosovës, dhe lirinë e medias në vend. Mediat në gjuhën serbe në Kosovë, janë të regjistruara në ARBK si biznese, ose në MBP si OJQ. Qytetarët serbë të Kosovës kanë të drejtë kushtetuese që të informohen për një proces kaq të rëndësishëm në gjuhën e tyre, gjuhë zyrtare në gjithë Kosovën.AGK-ja inkurajon mediat e refuzuara që të ankohen menjëherë për vendimin në PZAP (neni 54, paragrafi 8 i Ligjit për Zgjedhje), dhe këtë institucion që në mënyrë urgjente të trajtojë dhe rrëzojë vendimin e KQZ-së.”, thuhet në reagim.

Reklamë