Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka thënë se eksponentë të AAK’së po tentojnë të frikësojnë dhe shantazhojnë qytetarët e Junikut nga pjesëmarrje në balotazh me kallëzime penale.
Shehu u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës më 9 nëntor e të mos frikësohen, teksa është shprehur i bindur për fitore më 9 nëntor.
“Prandaj të gjithë junikasit që jetojnë në Junik apo në mërgim me të drejtë të votës duhet të dalin masivisht më 9 nëntor dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës. Pushteti nuk merret as duke shpifur, as duke ofenduar dhe as duke kërcënuar. Pushteti merret me argumente politike dhe projekte për të mirën e qytetit. Fatkeqësisht AAK nuk e ka as njërën as tjetrën. Prandaj më 9 nëntor, fitorja jonë do të jetë historike dhe madhështore”, ka shkruar Shehu.