Kryetari i dorëhequr i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se edhe pas dorëheqjes do të vazhdojë të jetë aktiv në parti dhe do të angazhohet për përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme.
Ai tha se nuk ka shtëpi tjetër politike dhe se do të punoj për arritjen e objektivave të partisë.
Krasniqi tha se PDK do t’i dalë zot vendit.
Në një intervistë në Klan Kosova Krasniqi tha se konventa e partisë do të mbahet të hënën, ndërsa shpreson që Presidentja të shpallë zgjedhjet të enjten, dhe më pas KQZ-ja t’i caktojë afatet.
“Do të jemi në vrap duke punuar,” tha ai.
Krasniqi gjithashtu ka reaguar ndaj spekulimeve për ekzistencën e “grupeve komandantësh” brenda partisë, duke i quajtur ato të stisura nga kundërshtarët politikë.
“Unë për vete kam qenë komandant tyre, e them figurativisht, sepse më kanë zgjedhur kryetar dhe më kanë besuar. Unë e kam pasur besimin e tyre. Sa i përket pjesës së vendimmarrjes qendrore, e kam marrë në Kryesi. PDK është reflektim i shoqërisë së Kosovës,” tha ai.
Ai shtoi se, edhe pse në PDK kanë ekzistuar mendime të ndryshme, vendimet janë marrë gjithmonë bashkë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe unitetit brenda partisë.
Krasniqi, ka folur për kulturën e brendshme të debatit në parti dhe për përvojën e tij politike qysh nga fillet e tij politike.
“Në PDK, prej kur kam shkuar unë, herën e parën në Kryesi kam hy në 2006-ën, si kryetar i rinisë, ka pasur gjithmonë debat, diskutim, ka pasur mendime të ndryshme, janë çmuar e vlerësuar, por pastaj vendimet i kemi marrë, dhe iu kemi qëndru prapa të gjithë”, thotë Krasniqi.
Ai foli edhe për sjelljen e deputetëve në Kuvend, duke pranuar se ndonjëherë ka pasur “protagonizëm më të madh” për shkak të zgjedhjeve të shpeshta dhe presionit nga elektorati.
“Padyshim që ndonjëherë në Kuvend ka protagonizëm pak më shumë, sepse njerëzit mendojnë ndonjëherë edhe për elektoratin, sepse po ka zgjedhje shumë shpesh, dhe deputetët janë pak në presion për t’i folur elektoratit bazë, dhe ndonjëherë e bëjnë ndonjë shkarje edhe jashtë vijave zyrtare partiake”, shtoi ai.
Krasniqi kujtoi edhe kohën kur ai vet ishte deputet dhe nuk kishte votuar një herë njësojë si partia e tij, duke e përshkruar si një përvojë të hershme të tij politike.
“Kam qenë unë deputet kur kemi bërë gjëra të tilla, më ka ndodh edhe mua mos me votu me partinë, një herë herët në vitin 2008, si entuziast i ri”, tregoi Krasniqi.