Procesi i rinumërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka ngritur shqetësime serioze për integritetin e zgjedhjeve, duke nxitur reagime publike dhe thirrje për hetime të thelluara institucionale.
Sipas të dhënave nga rinumërimi, disa kandidatë kanë rezultuar me mijëra vota më shumë gjatë numërimit fillestar sesa u takonin realisht.
Ndër ta është edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Fetah Paçarizi, i cili pas rinumërimit ka humbur gjithsej 5.942 vota.
Për këtë çështje, Paçarizi i cili ka kërkuar rinumërim tëvotave në gjithë vendin.
“Kërkoj transparencë, hetim dhe përgjegjësi. Gabimi apo manipulimi i këtij niveli është përgjegjësi shtetërore”, ka deklaruar ai.
Postimi i tij:
Të nderuar qytetarë, përfaqësues të mediave dhe organe të drejtësisë,
Ajo që po ndodh gjatë procesit të rinumërimit të votave nga KQZ është serioze dhe shqetësuese. Kjo situatë ngre dyshime të arsyeshme mbi integritetin e numërimit dhe rinumërimit dhe cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.
Për këto arsye, konsideroj se është i domosdoshëm rinumërimi i plotë i votave në të gjithë vendin, përfshirë edhe votat e diasporës, në mënyrë që të garantohet transparenca, barazia dhe respektimi i vullnetit real të qytetarëve.
Dua të sqaroj qartë se jam i kyçur rishtas në politikë dhe nuk kam mbajtur asnjëherë poste apo përgjegjësi politike.
Nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë ndikim në këtë proces dhe distancohem plotësisht nga çdo keqpërdorim apo manipulim që mund të jetë bërë në emrin tim ose në dëm të votës së lirë.
Prokuroria e Shtetit ka detyrim ligjor dhe moral të nisë hetime të plota, të pavarura dhe profesionale. Njëkohësisht, KQZ, si organ i pavarur kushtetues, duhet të japë llogari publike dhe të ofrojë prova të qarta për ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të saj. Pavarësia institucionale nuk nënkupton mungesë përgjegjësie.
Kërkoj transparencë, hetim dhe përgjegjësi. Gabimi apo manipulimi i këtij niveli është përgjegjësi shtetërore.
