×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / LAJMI I FUNDIT

    Kushtetuesja i jep 34 ditë afat Kurtit ta zgjedhë Presidentin, dekreti i Osmanit nuk prodhon asnjë efekt juridik

    Reporteri
    25 Mars 2026 | 17:25

    Gjykata Kushtetuese ka nxjerr aktgjykimin e saj lidhur me çështjen e presidentit, duke vendosur se dekreti i presidentes Vjosa Osmani “nuk prodhon asnjë efekt juridik”.

    Në aktgjykimin e publikuar, Gjykata e ka shpallur të pranueshme kërkesën dhe ka konstatuar se procedurat e ndërmarra përmes këtij dekreti janë juridikisht të pavlefshme.

    Sipas vendimit, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë në dispozicion 34 ditë nga hyrja në fuqi e aktgjykimit për të zhvilluar dhe përfunduar procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.

    Gjykata ka paralajmëruar se, nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e Presidentit, Kuvendi do të shpërndahet automatikisht në bazë të Kushtetutës. Në këtë rast, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

    Po ashtu, me hyrjen në fuqi të këtij aktgjykimi, shfuqizohet masa e përkohshme e vendosur më 9 mars 2026.

    Gjykata ka bërë të ditur se vendimi do t’u kumtohet palëve dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare, ndërsa hyn në fuqi menjëherë.

    Komunikata e plotë:

    Njoftim për publikimin e aktgjykimit KO72/26 dhe KO74/26

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 25 mars 2026, ka vendosur për kërkesat e bashkuara në rastet KO72/26, të parashtruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe KO74/26, të parashtruar nga znj. Arbërie Nagavci dhe 30 (tridhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 2 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nëpërmjet së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë “së dekretit nr. 24/2026 të datës 06.03.2026, të Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.”

    Gjykata, njëzëri, vendosi:

    I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;

    II. TË KONSTATOJË që Dekreti [nr.24/2026] i 6 marsit 2026 i Presidentes së

    Republikës së Kosovës nuk prodhon asnjë efekt juridik;

    III. TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës ;

    IV. TË KONSTATOJË që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

    V. TË KONSTATOJË që Vendimi i Gjykatës për vendosjen e masës së përkohshme, i 9 marsit 2026 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;

    VI. T'UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

    VII. TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në

    pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën

    Kushtetuese të Republikës së Kosovës;

    VIII. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!