×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus / Sulmi i 24 shtatorit

    Lista Serbe s’e përballoi dënimin e terroristëve të Banjskës, lëshoi sallën e Kuvendit dhe del me reagim

    Reporteri
    24 Prill 2026 | 19:16

    Deputetët e Listës Serbe kanë reaguar ashpër ndaj vendimit për rastin “Banjska”, duke braktisur sallën e Kuvendit në momentin kur deputetët shqiptarë u ngritën në këmbë për të përshëndetur verdiktin e gjykatës.

    Reagimi i kësaj partie erdhi menjëherë pas vendimit të Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila dënoi me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim për sulmin e armatosur në Banjskë.

    Në një deklaratë të mëvonshme, pasi deputetët e saj e braktisën sallën e seancave plenare të Kuvendit, Lista Serbe e ka cilësuar aktgjykimin si të padrejtë dhe të pabazuar në prova.

    “Lista Serbe shpreh dënimin më të ashpër ndaj këtij aktgjykimi, i cili është marrë pa paraqitje të provave të vlefshme, pa përcaktim të përgjegjësisë individuale dhe pa arsyetim të qartë të veprimeve konkrete të të akuzuarve”, thuhet në reagimin e tyre, të transmetuar nga Kossev.

    Kundërshtim ndaj vendimit ka shprehur edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke e cilësuar atë si një vendim të ndikuar politikisht.

    Të dënuarit janë shpallur fajtorë për sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku një grup i armatosur rëndë fillimisht bllokoi rrugën dhe më pas sulmoi zyrtarët e Policia e Kosovës që kishin dalë në vendngjarje.

    Gjatë këtij sulmi u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa dy policë të tjerë mbetën të plagosur.

    Sipas organeve të drejtësisë, grupi i armatosur udhëhiqej nga Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili vazhdon të jetë në arrati së bashku me shumicën e të dyshuarve të tjerë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!