Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar një ditë pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit, duke thënë se vendi po përballet me pasojat e mungesës së vullnetit politik nga shumica parlamentare.
Në një video-adresim drejtuar qytetarëve, Hamza tha se në kohë sfidash është e rëndësishme të ruhet qetësia dhe besimi në shtet.
“Në kohë sfidash, është e natyrshme të ndiejmë pasiguri. Por, po aq e rëndësishme është edhe ta ruajmë qetësinë, besimin dhe përkushtimin ndaj shtetit tonë”, deklaroi ai.
Hamza falënderoi qytetarët për reagimin ndaj zhvillimeve të fundit, duke theksuar se përgjigjja ndaj situatës ishte e qartë dhe pa kompromis.
“Mbrëmë u përballëm me një zhvillim që ngriti shqetësime, por përgjigjja jonë ishte e qartë, e vendosur dhe pa kompromis”, u shpreh ai.
Kreu i PDK-së rikujtoi se ka kaluar më shumë se një vit nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, duke e cilësuar këtë periudhë si kohë të mbushur me paqartësi dhe vonesa.
“Gjatë kësaj kohe, ju keni votuar dy herë dhe tash po ju kërkohet të votoni për herën e tretë. Jo si rezultat i vullnetit tuaj, por për shkak të vendimeve të gabuara politike të kësaj qeverie”, tha Hamza.
Ai kritikoi qeverisjen aktuale për mungesë drejtimi dhe rezultate konkrete, duke vlerësuar se vendi ka kaluar në stagnim dhe përkeqësim të kushteve ekonomike.
“Në vend të qeverisjes, patëm stagnim. Në vend të përmirësimit të mirëqenies, patëm përkeqësim dhe rritje të kostos së jetesës. Në vend të zhvillimit, patëm bllokadë”, deklaroi ai.
Hamza shtoi se jostabiliteti politik ka pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.
“Jostabiliteti politik ka kosto reale dhe ajo kosto bie mbi ju, mbi qytetarët tanë”, theksoi ai.
Në fund, ai tha se zgjedhjet përbëjnë një mundësi për ndryshim dhe për rikthimin e besimit në institucione.
“Kjo është një mundësi për t’i thënë mjaft politikës së bllokadës, përçarjes dhe papërgjegjësisë… Ju kërkoj që të besoni në Kosovën tonë, sepse ditët më të mira janë përpara nesh”, përfundoi Hamza.