×
  • Lajme
  • Lajme

    Mediat serbe: Për Trump, Kosova çështja më e rëndësishme, inkuadrohet edhe Putin

    Reporteri
    25 Tetor 2019 | 16:01

    Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë deklaroi dje se Kosova është një nga çështjet e saj më të rëndësishme në aspektin e politikës së jashtme, Rusia zyrtare gjithashtu njoftoi në po të njëjtën ditë se është e gatshme të angazhohet në negociata për çështjen e Kosovës, nëse këtë ia kërkon Beogradi, shkruajnë mediat serbe, transmeton Reporteri.net.


    Përfaqësuesi Special i Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer teksa deklaroi se nuk ka rrugë tjetër përpara për Kosovën, potencoi se një nga prioritetet kryesore të SHBA-ve, që ka impakt në të gjithë rajonin, është normalizimi i marrëdhënieve Beograd-Prishtinë.

    Për shkak të rëndësisë strategjike të kësaj çështje, Trump ka emëruar ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell si të dërguar special për bisedimet Beograd-Prishtinë.

    Ambasadori rus në Beograd, Alexander Bocan-Harchenko tha se çështja e Kosovës duhet të trajtohet në kornizën ligjore ndërkombëtare, bazuar në Rezolutën 1244.

    “Moska mund të marrë pjesë në proces, por vetëm nëse ka interes dhe ftesë nga Beogradi për t’u inkuadruar”, tha ai duke shtuar që Moska do të mbështesë çdo marrëveshje për të cilën të dy palët pajtohen.

    Edhe analistët serbë të politikës së jashtme vlerësojnë se beteja e madhe politike do të zhvillohet për mbizotërim në Ballkan.

    Sipas analistit Zoran Spasiq, si në fokus të Rusisë ashtu edhe të Amerikës është  zgjidhja e çështjes së Kosovës, e për këtë arsye sipas tij presionet ndaj Serbisë do të rriten javëve në vazhdim.

    “Fokusi i SHBA-së dhe Rusisë do të jetë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kjo është arsyeja pse presionet ndaj Serbisë do të intensifikohen. Megjithëse pa fuqitë e mëdha nuk ka zgjidhje të çështjes së Kosovës, varet nga ne që të vazhdojmë në mënyrë që të maksimizojmë ruajtjen e interesave tona kombëtare”, shprehet ai.

    Sipas Predrag Rajiq nga Qendra për Stabilitet Social, Uashingtoni dhe Moska përdorin pjesën tonë të Evropës si një terren trajnimi për sundimin e tyre.

    “Presionet ndaj Serbisë në lidhje me Kosovën do të bëhen gjithnjë e më të mprehta, veçanërisht nga Perëndimi, dhe për këtë arsye është e nevojshme të tregohet unitet. Presidenti Vuçiq ka vërtetuar se është në gjendje të përballojë presione të tilla”,shprehet ai./Reporteri.net

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!