×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / 7 qershori

    Kryetari i LDK-së: Është koha që shtëpia jonë të ribashkohet

    Reporteri
    08 Maj 2026 | 21:38

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i është drejtuar anëtarësisë së partisë me një mesazh bashkimi, duke theksuar nevojën për unifikim të brendshëm dhe rikthim të forcës së subjektit politik, tashmë kur edhe ish-presidentja Vjosa Osmani pritet të kthehet e të garojë me listën e saj në kuadër të kësaj partie.

    “Ju zotohem, do t’i bashkoj të gjithë. Ata që kanë qëndruar gjithmonë. Ata që janë larguar. Ata që kanë heshtur. Ata që ende besojnë”, ka deklaruar Abdixhiku.

    Ai ka theksuar se LDK-ja, sipas tij, gjithmonë ka qenë më e madhe se individët dhe përfaqëson një shtëpi politike për anëtarët e saj.

    “Sepse LDK-ja ka qenë gjithmonë më e madhe se secili prej nesh. LDK-ja ka qenë gjithmonë shtëpia e njerëzve të saj. Dhe koha ka ardhur që kjo shtëpi të bëhet sërish një”, është shprehur ai.

    Deklarata e Abdixhikut vjen në një periudhë kur partia po synon konsolidim të brendshëm dhe mobilizim të anëtarësisë për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mbajë të shtunën mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku pritet të merren vendime të rëndësishme politike.

    Gjatë kësaj mbledhjeje, që fillon në ora 12:00, parashihet nominimi i kandidatit të partisë për kryeministër, si dhe hartimi i listës së kandidatëve për deputetë.

    Në rend të ditës do të jetë gjithashtu edhe diskutimi për bashkëpunimet e mundshme politike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!