Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u zhvillua të martën debati i rregullt gjashtëmujor për gjendjen në Bosnje e Hercegovinë, por ai u la nën hijen e dorëheqjes së përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, dhe rritjes së tensioneve politike mbi rolin e bashkësisë ndërkombëtare në vend.

Schmidt mori leje për të mbajtur fjalim në takim në fillim të seancës, pavarësisht kundërshtimit të zëvendësambasadores së Rusisë në OKB, Anna Evstigneeva. Por, kryetari i Këshillit të Sigurisë kineze, Geng Shuang, miratoi pjesëmarrjen e tij.

“Bashkësia ndërkombëtare u përqendrua për një kohë në të ashtuquajturat zgjidhje të brendshme, por kjo nuk solli asnjë përparim”, tha Schmidt, duke paralajmëruar për ato që ai i quajti sfida ndaj integritetit territorial të Bosnjës, glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe diskriminimi strukturor që e bën të vështirë kthimin e refugjatëve.

Reklamë

Ai shtoi se çështja e pronës shtetërore dhe bllokadat politike vazhdojnë ta pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

Një ditë më parë, Schmidt konfirmoi zyrtarisht dorëheqjen pas pothuajse pesë vjetësh në detyrë “për arsye personale”, por shtoi se do ta mbante pozitën deri në emërimin e një pasardhësi, i cili duhet të propozohet nga Këshilli për Zbatimin e Paqes në Bosnje, i cili përbëhet nga SHBA-ja, Turqia, Japonia dhe disa anëtarë të BE-së.

“Procesi i emërimit të pasardhësit tim ka filluar tashmë dhe pres të largohem nga pozita në qershor”, tha Schmidt.

Që nga emërimi i Schmidt në vitin 2021, Rusia ka mbajtur anën e autoriteteve në entitetin e Republikës Sërpska dhe nuk e ka njohur Schmidt si përfaqësues të lartë në Bosnje, duke pretenduar se ai duhej të konfirmohej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, siç ishte rasti me paraardhësit e tij, dhe në këtë drejtim kishte mbështetjen e Kinës si anëtare tjetër e përhershme e këtij organi më të lartë të OKB-së.

Moska dhe Pekini po ushtrojnë trysni për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnje. Schmidt i tha Këshillit të Sigurimit se kishte njoftuar për dorëheqjen e tij në mënyrë që të mund të emërohej një Përfaqësues i Lartë i ri.

Reklamë

Diskutimet mbi të ardhmen e OHR-së

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) “nuk është menduar kurrë të jetë institucion i përhershëm”, me qëndrimin se pushtetet duhet t’u dorëzohen gradualisht udhëheqësve vendorë.

“Përfaqësuesi i Lartë i ardhshëm duhet t’ua kalojë përgjegjësitë udhëheqësve vendorë”, tha përfaqësuesja amerikane Tammy Bruce.

Ajo falënderoi Schmidtin për mandatin e tij dhe tha se do t’i vlerësonte kandidatët për përfaqësuesin e ardhshëm të lartë bazuar në arritjet e tyre, duke thënë se është e domosdoshme që emërimi i tij të mbyllet deri në fund të qershorit.

Reklamë

“Kjo nuk është fitore e as disfatë për asnjërën palë, por fundi i njërës dhe fillimi i një faze të re në Bosnje”, tha Bruce.

Mbretëria e Bashkuar shprehu mbështetje të fortë për Schmidtin dhe pushtetin e tij, duke përfshirë të ashtuquajturat fuqi të Bonit.

“Kur institucionet demokratike janë duke u sulmuar, është thelbësore që bashkësia ndërkombëtare të reagojë. Në një vit zgjedhor, kjo është veçanërisht e rëndësishme”, tha përfaqësuesi britanik James Kariuki./Rel