Raftet e marketeve në vend janë të mbushura me produkte që etiketohen si “bio” e “organike”. Por, vetëm etiketa nuk e dëshmon se janë vërtet të tilla. Kompanitë duhet t’i nënshtrohen certifikimit nga trupa të akredituara nga Komisioni Evropian, për t’i deklaruar produktet si organike. Ky proces duhet përsëritur çdo vit. Kosova ka Ligj për Bujqësi Organike nga 2012’ta, mirëpo asnjë kompani s’është certifikuar bazuar në të. Certifikimi bëhet me Rregulloren e Bashkimit Evropian. Rreth 95% e prodhimit organik eksportohet.

Në Breznicë të Obiliqit, mes fushave të gjelbra që e përshkojnë pothuajse gjithë fshatin, gjendet edhe parcela organike e kompanisë “A-D-E Group”, që kultivon bimë mjekësore dhe aromatike.

Pranë saj janë ngritur edhe serrat dhe fabrika ku kryhet i gjithë procesi i përpunimit dhe prodhimit. Kjo kompani ka edhe katër parcela tjera, në total 20 hektarë të certifikuar si sipërfaqe organike.

Reklamë

Certifikimi organik është proces që verifikon dhe vërteton se një produkt bujqësor apo ushqimor është prodhuar sipas standardeve të bujqësisë organike. Pra, pa përdorimin e plehrave sintetike, hormoneve, antibiotikëve dhe pa metoda tjera joorganike.

Fabrika

Dafina Bunjaku, agronome e kësaj kompanie, tregon se parcelat e para i kanë certifikuar në vitin 2018, një vit pas themelimit.

“Për shkak se parcelat kanë qenë të pakultivuara, procesi i certifikimit ka filluar më shpejt”, rrëfen Dafina, duke shpjeguar se nëse parcela do të ishte e kultivuar më herët, do duhej të prisnin tri vjet, ajo që në bujqësinë organike njihet si “periudhë kalimi”.

Parcela në Breznicë

Degradimi i tokës thotë se i shtyu që të fillojnë me bujqësi organike si ndër të parët në atë rajon, por pastaj rezultoi të jetë edhe fitimprurëse.

“E kemi pa që kemi fitime dhe pastaj kemi vendosë të vazhdojmë”.

Reklamë

“Tregun e kemi të sigurt, nuk mund të prodhojmë aq sa kemi kërkesë”

Kompania ka filluar direkt me eksport, meqë siç thotë Bunjaku, në tregun vendor nuk ka kërkesë të madhe. Gjermania dhe Polonia janë dy shtetet ku janë të fokusuar.

Zakonisht bëjnë marrëveshje paraprake, kur takohen me blerësit nëpër panaire. Në fund të sezonës, i gjithë materiali që grumbullohet niset drejt këtyre vendeve.

“Tregun e kemi të sigurt. Realisht nuk mund të prodhojmë aq sa kemi kërkesë”, shprehet Dafina.

Reklamë
Prodhimet për eksport

Vitin e kaluar, kompania ka eksportuar produkte në vlerë 65 mijë euro.

Në tregun vendor, si lëndë e parë nuk janë të pranishëm fare, por tash e pesë vjet kanë lansuar brendin e çajrave “Pianta Organic”.

“I kemi 13 lloje të çajit që i prodhojmë. Gjatë dimrit furnizojmë restorante, kafiteri”, thotë Bunjaku, duke theksuar se gjatë verës kërkesat janë të vogla.

Bunjaku thotë se si kompani, nga fara e deri në produktin final, gjithçka e bëjnë vetë.

Reklamë

“… kur e shohim sa i kushtojmë rëndësi produktit, nuk përdorim asgjë për ta trajtuar, të vjen keq krejt këto prodhime të shkojnë jashtë, e një pjesë të tyre të mos e konsumojnë konsumatorët vendor”.

Serra ku kultivohen bimët

Thekson që konsumatorët duhet të vetëdijësohen për ta dalluar se çka është organike në bazë të llogos, e të mos bazohen vetëm pse i shkruan “bio” në paketim.

Sikur thuajse çdo sektor, edhe në bujqësi organike problem mbetet fuqia punëtore.

Kjo kompani ka pesë punëtore që punojnë në fabrikë, ndërsa gjatë sezonës marrin deri në 20 tjerë për parcela.

Reklamë

“Kemi tepër mungesë të punëtorëve dhe për këtë arsye s’po mundemi me rrit as numrin e parcelave”.

Sezona fillon nga prilli e korrjet vazhdojnë deri në nëntor, varësisht nga kushtet atmosferike.

Brenda fabrikës ku prodhohen çajrat

Kërkesa gjithnjë e më e madhe për produkte organike, e ka shtyrë drejt certifikimit edhe Esat Berishën.

Ai jeton në Zvicër, por ka investuar në Prizren, duke hapur kompaninë “Arti Fruit”, që merret me kultivimin e aronisë. Këtë investim thotë se e nxitën dashuria për vendin dhe potenciali në këtë fushë.

Për dallim prej kompanive tjera, kjo është e fokusuar më shumë në tregun vendor.

“Kemi krijuar kontakte të reja, jemi të përhapur në disa pika në tregun vendor, kemi partner të ndryshëm edhe jashtë vendit. Interesi për produktet organike është në rritje”.

Kultivimi i aronisë

Certifikimin e përshkruan si proces që kërkon shumë punë e përkushtim, por edhe të kushtueshëm.

“Megjithatë ne e shohim si një investim afatgjatë për cilësi, besueshmëri, dhe zgjerim në tregjet e reja”, shprehet Berisha.

Rekomandon edhe kompanitë tjera që të mos i hezitojnë këtij procesi, meqë përfitimet janë afatgjate.

Sa i përket fuqisë punëtore, Berisha thotë se momentalisht janë duke punuar me kapacitet minimal dhe se aktualisht nuk kanë mungesë.

Asnjë kompani e certifikuar me Ligjin e Kosovës, certifikimi s’u njihet për eksport në tregje të huaja

Në Kosovë, Ligji për Bujqësi Organike ekziston që nga viti 2012, i plotësuar edhe me udhëzime administrative, mirëpo deri tash nuk ka asnjë operator të certifikuar sipas këtij ligji.

Ministria thotë se s’ka pranuar asnjë kërkesë nga fermerët, meqenëse nuk njihet për eksport në tregjet ndërkombëtare.

“Edhe pse ligji ekziston i kompletuar me te gjitha aktet nënligjorë nuk është pranuar asnjë kërkesë nga fermerët për certifikim sipas tij, kryesisht për shkak se ky lloj certifikimi nuk njihet për eksport në vendet e treta”, thotë Ministria.

95% e prodhimit organik nga Kosova është i orientuar për eksport, rrjedhimisht operatorët vendorë certifikohen sipas standardeve të Bashkimit Evropian apo atyre ndërkombëtare. Kjo është domosdoshmëri për prani në tregjet e huaja, si Gjermania, Austria, Zvicra, Holanda dhe vende tjera ku eksportohen kryesisht.

Deri në vitin 2024, kompanitë janë certifikuar me standarde organike, të cilat kanë qenë ekuivalente me Rregulloren e BE’së 834/2007. Tani duhen certifikuar me Rregulloren e re 2018/848, që ka kritere shumë më strikte.

Certifikimi bëhet nga tri trupa certifikuese ndërkombëtare të cilat janë të akredituara nga Komisioni Evropian: Q-check P.C XK-BIO-179 – Greqi, Organskakontrola.ba XK-BIO-101 – Bosnje dhe Hercegovinë dhe Bio-inspecta.ch  XK-BIO-161 – Shqipëri.

Trupat e kontrollit që operojnë në Kosovë obligohen që për çdo vit t’i raportojnë Ministrisë, e cila pastaj nga raportet e pranuara përgatit regjistrin ku përfshihen gjithë operatorët e certifikuar për bujqësi organike. Këta regjistra, Ministria i përdor për mbikëqyrje dhe kontroll, subvencione e pagesa direkte si dhe raportime zyrtare të sektorit.

17,6 milionë euro eksport, produktet drejt 24 shteteve

Certifikimi i parë në Kosovë është kryer në vitin 2009, nga një kompani nga Istogu, me sipërfaqe prej 5 hektarësh e cila e vazhdon ende me prodhim organik.

Sipas të dhënave të Ministrisë, aktualisht janë të certifikuar 14 operatorë të cilët merren me kultivim të bimëve medicionale dhe aromatike, drithërave, aronisë, arrave dhe kërpudhave.

Për grumbullim të produkteve pyjore dhe jo drusore që nihen me shkurtesën PPJD, janë 12 kompani të certifikuara, me 16 qendra grumbullimi në të gjithë territorin e Kosovës, të cilat organizojnë grumbullimin, tharjen dhe përpunimin e tyre.

Kërkesat më të mëdha për certifikim janë pikërisht për BMA dhe PPJD.

Arsyet lidhen me potencialin e lartë për eksport dhe kërkesën e qëndrueshme në tregjet e BE’së, koston me të ulët të prodhimit, kushtet e favorshme natyrore dhe kërkesën e qëndrueshme nga industria farmaceutike dhe ushqimore.

“Eksporti i BMA-ve si në kultivim ashtu edhe në grumbullim i PPJD-ve, bëhet si produkt gjysmë i përpunuar, 95% e gjithë prodhimit shkojnë për eksporte në vendet e BE s dhe në botë – 24 vende : Gjermani, Austri, Zvicër, Holandë , et”, thuhet në përgjigje.

Për vitin 2024, eksporti i prodhimeve organike ka arritur në vlerë prej 17,6 milionë euro.

Sektori dominohet nga grumbullimi i produkteve të egra, krahasuar me prodhimtarinë e kultivuar, që reflekton edhe potencialin e madh natyror të vendit.

Referuar të dhënave të raportuara nga trupat e kontrollit, gjatë vitit 2024, kanë qenë 310 hektarë të kultivuar me prodhimtari organike.

Dominojnë kulturat e bimëve medicinale dhe aromatike (BMA), me rreth 14 lloje të kultivuara, si: kamomili, hithri, rigoni, menta, sherbela, bari i bletës, mullaga e bardhë, mullaga e zezë, lavanda, ciani, kalendula, borziloku, aguliqja, etj.

Përveç tyre, kultivohen edhe kultura të tjera organike si: drithërat, arra, aronia, mjedra, dredhëza, kërpudha dhe kunguj organik. Ndërkohë, për prodhimtari të mjaltit organik, është i certifikuar vetëm një fermer.

Sipërfaqja relativisht e vogël e kultivimit organik, sipas Ministrisë, lidhet me kostot e larta të certifikimit dhe procesit të konvertimit, mungesën e këshillimit të specializuar për këtë lloj prodhimi, qasja e kufizuar në inpute organike cilësore, tregu i pa strukturuar dhe niveli i ulët i vetëdijes së konsumatorëvve.

374 mijë e 488 hektarë tjerë përfshijnë zona të certifikuara për grumbullimin e produkteve pyjore jo-drusore (PPJD).

“Nga këto zona janë grumbulluar rreth 39 lloje të bimëve medicinale, frutave të egra të malit, erëzave dhe kërpudhave. Një sasi totale prej 2,356 tonë materie e thatë”.

Interesi i lartë për bimët medicinale dhe aromatike është shkaku që këto kultura kërkojnë investime më të ulëta dhe kanë kërkesë në rritje në tregjet ndërkombëtare.

Si bëhet certifikimi organik dhe sa zgjat si proces?

30 prej kompanive, certifikimin e kanë nga Bio-Inspecta. Kjo trupë certifikuese ka përvojë dy dekadëshe në Shqipëri, ndërsa në Kosovë ka filluar aktivitetin prej vitit 2012.

Hënë Demko, financiere dhe menaxhere e zyrës, shpjegon hapat deri te certifikimi dhe kohëzgjatjen që mund ta ketë si proces, ndonëse nuk ka periudhë ekzakte.

Fillimisht pranohet dokumentacioni, fillohet me shqyrtim dhe përcaktohet koha e përshtatshme për inspektim varësisht nga produkti që certifikohet, që duhet të përfshijë sa më shumë faza kritike të prodhimit.

Pas inspektimit, dosja merret në shqyrtim nga certifikuesi.

“…në kushte ideale (nëse nuk ka patur problematika madhore), në një periudhë dy javore pas mbylljes së inspektimit mund të konkludojë certifikatën organike’, shpjegon Demko.

Në ëeb faqen e kësaj trupe, janë të publikuara edhe kostot standarde, por që pastaj çmimi final varet edhe faktorët tjerë.

“Kostot finale varen nga faktorë të ndryshëm siç janë; lloji i aktivitetit prodhues, lloji dhe gama e produkteve, madhësia e aktivitetit, standardi dhe rregullorja e kërkuar, problematikat e hasura etj”.

Pavarësisht kostos, që për disa fermerë mund të jetë e lartë, Demko thotë se certifikimi organik ka shumë përfitime.

Prodhuesit e certifikuar si organik thotë se mund të shesin produktet e tyre me çmime më të larta në treg, të kenë prezencë në tregje të reja, rritje të besueshmërisë ndaj produkteve dhe të drejta për subvencione.

Sfidë për fermerët thotë se mbetet ngritja e sistemit të brendshëm të kontrollit, mungesa e regjistrimeve të fermës si fizikisht ashtu edhe në formë elektronike, dhe mungesa e informacioneve në zbatimin e kërkesave për prodhim organik.

Për t’u certifikuar një produkt, ai duhet të jetë i identifikueshëm në çdo hallkë të prodhimit, duke filluar nga parcela deri në etiketimin final tek konsumatori.

“Pjesë e sistemit të gjurmueshmërisë është lot-i (grup i identifikueshëm produktesh që janë prodhuar, përpunuar ose paketuar në të njëjtat kushte dhe në të njëjtën periudhë) që hartohet në formë të tillë që të mundësojë gjurmim të produktit nga paketimi final deri në origjinën e tij”, thotë Demko.

Bimët medicinale, aronia, frutat e pyllit dhe kërpudhat, janë produktet për të cilat ka kërkesë më shumë për certifikim, thotë Demko.

Si mund ta dallojnë konsumatorët dhe tregtarët autencitetin e produkteve organike?

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, kjo është relativisht e lehtë. Mjafton të kërkohet emri i operatorit në regjistër, kontrolli të certifikatës organike që duhet të jetë e vlefshme dhe e lëshuar nga një trup i akredituar dhe verifikimi i trupit certifikues, pra nëse është i njohur dhe i licencuar nga autoritetet.

Ndërkohë për të dalluar nëse një produkt është me të vërtetë organik, Ministria thotë se elementet kryesore janë logoja organike në etiketë, qoftë ajo kombëtare apo e BE’së, kodi i trupit certifikues, emërtimi organik dhe etiketa e plotë ku tregohet origjina e produktit dhe operatori.

Në të majtë, llogo e BE’së për produktet organike. Poshtë saj, kodi i trupës certifikuese.

Ministria thotë çdo keqpërdorim i termit “organike”, ndëshkohet me gjoba administrative dhe ndalim të shitjes së produktit.

Barra kryesore mbi kontrollin e produkteve që shiten si “organike”, Ministria thotë se bie mbi Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Inspektorët janë të obliguar të dalin në terren dhe të verifikojnë nëse produktet që etiketohen si “organike” posedojnë certifikim të vlefshëm. Kjo përfshin kontrollin e dokumentacionit, etiketimit dhe kodit të trupës certifikuese, si dhe krahasimin me listat zyrtare të operatorëve të certifikuar”.

Megjithatë, edhe pse sistemi i kontrollit ekziston, Ministria thotë se mbikëqyrja në terren mbetet sfidë për shkak të kapaciteteve të kufizuara inspektuese dhe pranisë së tregut informal.

“Në këtë kontekst, tregu organik mbetet një sektor me potencial të lartë, por ende i ekspozuar ndaj konkurrencës së padrejtë dhe mungesës së kontrollit efektiv”, thotë Ministria.

AUV veç me kontrolle të përgjithshme

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se në kuadër të inspektimeve që realizojnë në treg përmes Inspektoratit Fitosanitar, përfshihen edhe produktet e kategorizuara si “bio”. Megjithatë, kontrolli ushtrohet në mënyrë të përgjithshme, meqë AUV thotë s’ka mandat për kontroll specifik.

Zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi, deklaron se në vende tjera, këto inspektime kryhen nga trupa të pavarura kontrolli që akreditohen dhe autorizohen nga shteti, por se në Kosovë s’ka ende bazë ligjore për organizim të tillë.

“Në vendet e Bashkimit Evropian, këto organe funksionojnë në përputhje me rregullat e BE-së, ndërsa autoritetet shtetërore i mbikëqyrin dhe i monitorojnë ato. Në Kosovë ende nuk është nxjerrë baza ligjore për organizimin e këtyre trupave’, thuhet në përgjigjen e Thaçit.

Thaçi thotë se nuk mbajnë as të dhëna të ndara për këtë kategori produktesh dhe se kontrolli kryhet në aspektet e përgjithshme.

“Për autoritetin shtetëror, në përputhje me mandatin ligjor, prioritet kryesor mbetet siguria e produkteve.”

Potenciali i vendit për prodhime organike

Fadil Millaku, doktor i Shkencave të Biologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se Kosova ka kushte për prodhime organike.

Megjithatë e cilëson si proces sfidues, shkaku i procedurave të shumta që duhet ndjekur, duke filluar nga certifikimi i tokës, farës dhe mospërdorimi i plehrave kimike e as pesticideve.

Teksa flet për potencialin e vendit në këtë fushë, përmend bimët mjekuese dhe aromatike meqë është më lehtë të mbrohen nga dëmtuesit.

“Kushte klimatike ka edhe për perime mirëpo si rezultat i përdorimit te pesticideve pa njohuri të mjaftueshme shumë insekte tashma janë mjaft rezistente. Ka kushte edhe për pemë te imta dhe pak lloje te pemëve frutore”, shprehet Millaku.

Shoqata Organika, urë lidhëse për certifikim dhe tregje të huaja

Shoqata “Organika” ndihmon fermerët në procesin e certifikimit, që nga 2013’ta kur edhe është themeluar. Anëtarët e kësaj shoqate janë furnizuesit kryesorë nga Ballkani të PPJD-ve dhe BMA-ve në tregun e BE’së.

Drejtori Faton Nagavci, kujton se si deri në 2017’ën ishin vetëm dy kompani të certifikuara, por falë shërbimit që ofrojnë ata me dokumentacionin, është arritur që në 2019’ën të jenë të certifikuara 40 kompani.

Ai thotë se Kosova e shfrytëzon vetëm 10-12% të potencialit që ka në këtë sektor.

Sipas inventarizimit të grumbullimit të produkteve pyjore jodrunore, të përpiluar nga Departamenti i Botanikës i Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave Natyrore të Universitetit të Prishtinës, Kosova ka potencial për të grumbulluar së paku 29 mijë tonelata produkte të tilla.

Eskporti ndërkohë sillet 3000-3500 tonë.

“Natyra jonë është shumë e pasur me produkte në male”, thotë ai, duke shtuar se kjo veprimtari mund të kthehet edhe në biznes që mban familjet, meqë nuk ka nevojë për investim.

“Familjet mund ta mbajnë veten vetëm nga grumbullimi i këtyre produkteve”.

Shoqata e tij numëron 70 kompani anëtare për së paky dy vite, por aktivitetet thotë se i bëjnë vazhdimisht me 40 prej tyre.

“Pesë eksportojnë mbi 1 milion euro”, thotë Nagavci.

Ai thekson rolin e kompanive grumbulluese në cilësinë e produkteve.

“Në Kosovë cilësia e produkteve është shumë e mirë vec për shkak se këto qendrat grumbulluese kanë tharëse, i grumbullojnë dhe shumë shpejt fillojnë me i tha me tharëse shumë profesionale që të ruhet cilësia.”

“Pa shënime, bujqësia organike nuk ka sens”

Zana Lika, këshilltare për bujqësi organike në këtë shoqatë, e cila u ndihmon kompanive me dokumentacionin gjatë procesit të certifikimit, thotë se pjesa më sfiduese është që fermerët përtojnë të mbajnë shënime.

“Pa shënime, bujqësia organike nuk ka sens. Duhet ta kesh të dokumentuar çdo lloj aktiviteti që e bën, prej lëvrimit të tokës, menaxhimit të barojave, mbjelljes së farave, tek korrja”, thotë Lika.

Madje, thotë se është pikërisht mbajtja e shënimeve dhe kostoja e lartë e certifikimit, arsyet për të cilat fermerët në fillim hezitojnë që të certifikohen.

“Shumica pse hezitojnë është kosto, sepse fermeri menjëherë të pyet sa është çmimi, sa do ta shes produktin dhe a do të kem përfitim prej kësaj pune”.

Lika thotë se në Kosovë ka pasur rënie në kultivim shkaku i rregullores së re të Bashkimit Evropian, që ka hyrë në fuqi nga viti i kaluar, çmimit të lartë për certifikim, por edhe nga mungesa e fuqisë punëtore.

Shenja ka lënë edhe pandemia Covid-19 dhe lufta në Ukrainë.

Duke folur për mungesën e fuqisë punëtore, Lika merr shembull bimët mjekësore dhe aromatike, që kërkojnë më shumë punë.

“Mëllaga që përdoret në farmaci ka mundësi që në ditë, në kulmin e sezonës, tri herë duhet me dalë në parcel me vjelë”.

Kjo shoqatë i lidh anëtarët e saj edhe me tregjet e Bashkimit Evropian, përmes pjesëmarrjes në panaire dhe mundësisë së ekspozimit të produkteve nëpër shtande, vizitave nëpër biznese, por edhe targetimit të kompanive.

Ligji i ri finalizohet sivjet

Sivjet pritet të finalizohet drafti i ligjit të ri për prodhim organik dhe etiketim të produkteve, për ta rregulluar këtë sektor.

Ky ligj synon përafrimin dhe implementimin në nivel kombëtar të kërkesave të Rregullores së Bashkimit Evropian (BE) Nr. 2018/848.

Me këtë rregullore, kompanitë duhet të zhvillojnë një sistem sigurimi të cilësisë për të identifikuar dhe shmangur rreziqet e kontaminimit dhe përzierjes.

Harmonizimi i këtij ligji me Rregulloren e BE’së ka qenë edhe kërkesë në Raportin e Progresit për Kosovën të vitit 2025.

“Në fushën e bujqësisë organike, legjislacioni duhet të harmonizohet me Rregulloren e BE’së dhe plani kombëtar i veprimit për bujqësinë organike 2023–2026 duhet të zbatohet”, thuhet në raport.

Aty kërkohet që Kosova ta ndryshojë dhe miratojë edhe Ligjin për tokën bujqësore dhe planin e veprimit për adresimin e humbjes dhe degradimit të tokës bujqësore.

Në mars të vitit 2025, Qeveria e Kosovës kishte aprovuar koncept-dokumentin për Bujqësi Organike. Aty ishin identifikuar dhe analizuar mangësitë e legjislacionit aktual.

Si objektiv specifik ishte përcaktuar harmonizimi/përafrimi me Rregulloren e BE-së.

Procesi për përzgjedhjen dhe zyrtarizmin e Logos Kombëtare për Produkte Organike është në zhvillim e sipër dhe poashtu pritet të finalizohet gjatë këtij viti.

Ministria thotë se kjo logo do të shërbejë si simbol identifikues për prodhuesit organikë dhe si garanci besimi për konsumatorët.

Sektori i bujqësisë organike mbështetet që nga viti 2016, përmes programit të pagesave direkte.

Deri vjet, MBPZHR ka aplikuar mbështetjen përmes pagesave direkte me 250 euro /ha për sipërfaqet e certifikuara në prodhimtari organike të bimëve mjekësore dhe aromatike te kultivuara si dhe për secilën kulturë bimore (pemëtari, vreshtari dhe drithëra) +250 euro për sipërfaqet e certifikuara. Ndërsa, për sipërfaqet të cilat janë në periudhën e konvertimit, mbështetja është në vlerë prej 100 euro/ha.

*Ky artikull është realizuar në kuadër të programit EREA që implementohet nga Caritas-i Zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.