×
  • Lajme
  • Raporto
  • Zgjedhjet 2026

    Fillon votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

    Reporteri
    06 Qershor 2026 | 8:10

    Ka filluar votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, për zgjedhjet e së dielës, shkruan Reporteri.net.

    Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih ka publikuar foto ku qytetarët shihen duke pritur për të hyrë për të votuar.

    Konsullata ka ftuar qytetarët e regjistruar me sukses të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të votojnë.

    “Votimi në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih ?️?? Sot, po zhvillohet procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike.Votimi në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, ka filluar në orën 07:00 dhe do të vazhdojë deri në orën 19:00. I ftojmë të gjithë qytetarët e regjistruar me sukses që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm. Falënderojmë bashkatdhetarët tanë për angazhimin, pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin!”, thuhet në njoftim.

    Edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka publikuar pamje nga votimi i diasporës në Cyrih dhe Shtutgard.

    Sipas një njoftimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha qendrat e votimit hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti.

    “27,724 votuesit e regjistruar në 30 përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 6 qershor 2026, pasi në listën votuese, e cila do të përdoret në këto përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026)”, thuhet në njoftim.

    Kujtojmë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dje ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili u kishte mundësuar votuesve në diasporë të votojnë në përfaqësi diplomatike edhe me dokumente identifikimi të Kosovës me afat të skaduar.

    Në arsyetimin e saj, PZAP ka theksuar se dispozita ligjore është e qartë dhe nuk lejon interpretim të zgjeruar për dokumentet e identifikimit.

    “Paneli vlerëson se kjo dispozitë është e qartë dhe nuk lejon dualizëm në interpretim që do ta barazonte dokumentin e vlefshëm me dokumentin me afat të skaduar”, thuhet në vendim.

    Po ashtu, PZAP ka sqaruar se vlefshmëria e dokumentit është kusht ligjor për identifikimin e votuesit.

    Procesi i votimit do të zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!