Kandidatja për deputete nga LDK-ja, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas rezultatit të partisë në zgjedhje, duke falënderuar qytetarët që votuan për LDK-në dhe strukturat e partisë për angazhimin gjatë fushatës.
Ajo ka thënë se mosdalja në votime përbën një mesazh të qartë të qytetarëve dhe e ka cilësuar atë si protestë qytetare, duke kërkuar reflektim dhe llogaridhënie nga subjektet politike.
Sipas Bajramit, një pjesë e elektoratit ndëshkoi partinë që kishte shumicën e votave, ndërsa njëkohësisht i dërgoi mesazh edhe LDK-së se nevojitet më shumë punë, seriozitet dhe përkushtim.
Ajo ka vlerësuar se zgjedhjet e përsëritura u dominuan nga debatet për pushtetin dhe jo nga programet zhvillimore, duke shtuar se rezultati aktual duhet të shërbejë si thirrje për reflektim.
Bajrami ka theksuar se LDK-ja është më shumë se një rezultat zgjedhor dhe ka kërkuar reflektim të thellë brenda partisë për t’u rikthyer më e fortë në të ardhmen.
Reagimi:
Qytetarët folën. Folën fort. Të zëshëm ishin edhe ata që nuk votuan fare!
Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që votuan LDK-në dhe na besuan. Faleminderit njerzëve tanë në struktura që punuan ditë e natë.
Mosdalja në votime është po ashtu një mesazh i qartë për secilin prej nesh. E lexoj këtë rezultat si protestë qytetare!
Abstenimi i tyre është thirrje për reflektim dhe llogaridhënie se pse erdhëm në situatën ku mbajmë zgjedhje për të shkuar përseri në zgjedhje.
Pa asnjë dyshim, shumë qytetarë ndëshkuan partinë që kishte 51 për qind, e cila e keqpërdori, përbuzi dhe nuk e zbatoi vullnetin e popullit.
Njëkohësisht, edhe neve na thanë qartë se duhet më shumë punë, më shumë seriozitet dhe më shumë përkushtim që të na shohin si zgjidhje.
Secili e ka kuptuar se tri palë zgjedhje u mbajtën jo për shkak të mospajtimeve: nëse duhet të prodhojmë apo të importojmë energji, jo sepse nuk u pajtuam për programe zhvillimore, por sepse tema qendrore u bë: kush ku do të ulet.
Përfundimisht, është koha të mendojmë përtej karrigeve.
Dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim sepse, nëse duam të jemi të sinqertë me veten, qartazi diku ia kemi huqur.
Lidhja Demokratike e Kosovës është më shumë se një palë zgjedhje, më shumë se një rezultat dhe më shumë se një episod politik, andaj duhet reflektim i thellë për tu rikthyer më e fortë.
Faleminderit! ✌️
/Reporteri.net/