Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka dhënë detaje për gjendjen e të lënduarve nga aksidenti i rëndë i trafikut që ndodhi në fshatin Shushicë të Istogut, ku vdiqën dy persona.

Sipas njoftimit të spitalit, rreth orës 16:00 në Shërbimin e Emergjencës është pranuar një paciente pa shenja jete.

“Sot, rreth orës 16:00, në Shërbimin e Emergjencës është pranuar një paciente pa shenja jete, si pasojë e një aksidenti të trafikut në Istog. Pacientja kishte pësuar politraumë dhe, përkundër procedurave të ndërmarra, është konstatuar pa shenja jete”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.

Reklamë

Spitali ka bërë të ditur se rreth 30 minuta më vonë janë pranuar edhe katër persona të lënduar në të njëjtin aksident.

“Rreth orës 16:30 janë pranuar edhe katër pacientë të tjerë të lënduar në të njëjtin aksident”, njofton spitali.

Sipas mjekëve, një fëmijë është në gjendje të rëndë dhe është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Një fëmijë është transferuar në QKUK, i intubuar dhe nën përcjelljen e ekipit të Anestezionit, për trajtim të mëtejmë, me politraumë, hemorragji intrakraniale dhe frakturë të femurit”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, një paciente është hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë me frakturë të femurit, ndërsa dy persona të tjerë janë liruar për trajtim ambulantor.

Reklamë

“Një paciente është hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë me frakturë të femurit. Dy pacientë të tjerë, pas ekzaminimeve dhe trajtimit mjekësor, janë liruar për trajtim ambulantor, pasi kanë pësuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftimin e spitalit.

Më herët, Policia e Kosovës bëri të ditur se aksidenti ndodhi rreth orës 15:20 në fshatin Shushicë të Istogut dhe se në të ishin të përfshira dy vetura me targa vendore.

“Në vendin e ngjarjes ka vdekur një person, këtë e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa viktima e dytë e këtij rasti ka arritur pa shenja jete në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Reklamë

Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Rasti është duke u hetuar.