Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në 16 vendpunishte në komunat Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Lipjan dhe Fushë Kosovë, pas inspektimeve ku janë evidentuar shkelje të rënda të legjislacionit të punës dhe sigurisë në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, kontrollet janë realizuar në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të rregullave për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.
Gjatë inspektimeve janë konstatuar parregullsi që paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punonjësve. Për këtë arsye, inspektorët kanë urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në këto vendpunishte, deri në eliminimin e mangësive të evidentuara.
“Rifillimi i punimeve do të lejohet vetëm pasi inspektorët të konstatojnë se janë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Qendror të Punës.
Nga ky institucion kanë bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe mbrojtjen e sigurisë së punëtorëve.