Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë i është bashkuar shqetësimeve të shprehura nga Bashkimi Evropian lidhur me rrënimin e objekteve pranë liqenit të Ujmanit, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve dhe respektimin e sundimit të ligjit.
Përmes një reagimi publik, Ambasada gjermane ka shprehur shqetësim të thellë për rrënimin e shtëpive pranë liqenit të Gazivodës/Ujmanit.
“Ambasada Gjermane në Prishtinë ndan shqetësimet e shprehura nga Bashkimi Evropian. Jemi thellësisht të shqetësuar për rrënimin e shtëpive pranë liqenit të Gazivodës/Ujmanit”, thuhet në reagim.
Ambasada ka theksuar se respektimi i procedurave të rregullta ligjore dhe parimeve të sundimit të ligjit, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, janë thelbësore për rrugën evropiane të vendit.
“Ruajtja e procedurës së rregullt ligjore dhe respektimi i parimeve të sundimit të ligjit, siç parashihen në Kushtetutën e Kosovës, janë thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës”, thuhet më tej.
Në fund, Ambasada gjermane u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndalin menjëherë veprimet dhe të gjejnë zgjidhje në përputhje me ligjin.
“Ne bëjmë thirrje për ndaljen e menjëhershme të veprimeve të tilla dhe kërkojmë zgjidhje transparente dhe të ligjshme”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Gjermanisë.