Ambasada e Italisë në Prishtinë i është bashkuar shqetësimeve të Bashkimit Evropian lidhur me rrënimin e objekteve pranë liqenit të Ujmanit, duke shpërndarë në faqen e saj zyrtare në Facebook deklaratën e BE-së për këtë çështje.
Reagimi vjen pas aksionit të zhvilluar më 24 korrik, kur autoritetet nisën rrënimin e 11 objekteve në bregun e liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut. Sipas institucioneve të Kosovës, objektet ishin ndërtuar pa leje në tokë që administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”.
Në reagimin e saj, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për mënyrën se si është zhvilluar aksioni.
“BE-ja është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti”, thuhet në deklaratën e BE-së, të shpërndarë edhe nga Ambasada e Italisë.
BE-ja u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndalin veprimet e mëtejshme deri në adresimin e çështjeve që lidhen me procedurat ligjore, të drejtat pronësore dhe mjetet juridike efektive.
“BE-ja bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim të mëtejshme derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur. Autoritetet duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme”, thuhet në reagim.
Po ashtu, BE-ja ka theksuar se roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të jetë në përputhje me mandatin e saj ligjor.
“Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur”, thuhet në deklaratë.
Sipas BE-së, masat e pakthyeshme të zbatimit gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore dhe në rastet e kontesteve pronësore ngrejnë shqetësime serioze për sundimin e ligjit.
“Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja pret që autoritetet t’i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten”, përfundon reagimi.