Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Partia Socialiste do të vazhdojë qeverisjen për aq kohë sa ka mbështetjen e qytetarëve dhe shumicën parlamentare, duke theksuar se pushteti nuk merret apo lihet sipas dëshirës së palëve politike.
Duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me arsyen pse kërkon të vazhdojë qeverisjen pas 13 vitesh në pushtet, Rama tha se në demokraci vendimi për qeverisjen i takon vetëm qytetarëve përmes votës.
“Një parti politike as e trashëgon timonin e pushtetit, as ka të drejtë ta lëshojë rrugës, sepse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit. PS ushtron pushtetin për aq kohë sa populli ia ka dhënë dhe për aq kohë sa ka votat në Kuvend”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se as kryeministri dhe as partitë politike nuk mund të vendosin vetë se kush duhet të jetë në qeveri apo opozitë, pasi këtë e përcakton vetëm vullneti i qytetarëve.
Rama komentoi edhe thirrjet për dorëheqjen e tij, duke thënë se nuk mund të largohet nga detyra vetëm për shkak të protestave apo kërkesave të një pjese të shoqërisë.
“‘Rama, jep dorëheqjen’, ajo këngë mua më pëlqen dhe më energjizon. Por të largohesh nga detyra pse një pakicë thërret në kor, është vetëm braktisje e një përgjegjësie të madhe”, deklaroi ai.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se misioni i Partisë Socialiste do të vazhdojë deri në realizimin e objektivit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Misioni ynë do të vazhdojë deri në vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Europës së bashkuar”, tha Rama.