Ka përfunduar procesi i votimit në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku delegatët vendosën për kërkesën për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Pas mbylljes së votimit, ka nisur procesi i numërimit të votave.
Komisioni ka filluar numërimin, ndërsa rezultati pritet të bëhet i ditur brenda një kohe të shkurtër.
Kuvendi i jashtëzakonshëm u thirr pas kërkesës së një pjese të delegatëve të LDK-së, të cilët kërkuan votëbesim për kryetarin Abdixhiku pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
Gjatë punimeve të Kuvendit, Abdixhiku mbrojti mandatin e tij, duke e cilësuar nismën për shkarkimin e tij si të gabuar dhe të parakohshme. Në anën tjetër, iniciatorët e mocionit argumentuan se LDK-ja ka nevojë për reflektim dhe ndryshim në udhëheqje pas rezultatit zgjedhor.
Rezultati i votimit do të përcaktojë nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të udhëheqë LDK-në apo nëse partia do të nisë procedurat për zgjedhjen e një kryetari të ri.