Lumir Abdixhiku,  i ka mbijetuar të enjten nismës për shkarkimin e tij në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, të mbajtur në Prishtinë. Për qëndrimin e tij në krye të partisë kanë votuar 170 delegatë, derisa 152 ishin për largimin e tij.

Nisma për shkarkimin e tij është ndërmarrë pas zgjedhjeve të 7 qershorit, kur LDK-ja ka dalë sërish parti e tretë me 16.7 për qind të votave.

Para votimit, Abdixhiku e cilësoi Kuvendin si të panevojshëm dhe në kohë të gabuar, duke akuzuar disa figura të partisë për sabotim dhe përpjekje për ta futur LDK-në në krizë. Ai tha se nuk e shihte këtë Kuvend si festë të demokracisë së brendshme, por si një përpjekje për rrëzim

Reklamë

Ndërkaq, pas rikonfirmimit të tij në krye të LDK-së, Abdixhiku tha se vendimi i delegatëve duhet të respektohet nga të gjithë, duke theksuar se votimi ishte shprehje e vullnetit të anëtarësisë së partisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Ky është vullneti i anëtarësisë, ky është vullneti i LDK-së. Ju ftoj të gjithë ta respektoni dhe të kontribuoni edhe atëherë kur nuk pajtoheni me këtë vendim. Por ky është vendim i shumicës së Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai tha se, përkundër përplasjeve të brendshme gjatë këtij procesi, synimi i tij do të jetë bashkimi i partisë.

“Do të zotohem të përpiqem ta bashkoj sa më shumë LDK-në, por pa bërë kompromise mbi vlerat tona dhe mbi atë që besojmë”, u shpreh ai.

Abdixhiku e cilësoi Kuvendin e jashtëzakonshëm si një moment jo të lehtë për partinë, por tha se rezultati i votimit e nxori LDK-në përpara.

Reklamë

“Sot nuk u ndjemë si në festë. Kemi nisur një proces të rrëzimit, por jam shumë falënderues që anëtarësia jonë arriti ta nxjerrë LDK-në faqe të bardhë edhe një herë”, tha ai.

Ai foli edhe për raportet me ata që mbështetën mocionin për shkarkimin e tij, duke thënë se nuk do të ketë hakmarrje ndaj tyre.

“Nuk kam fjalë të këqija për askënd prej tyre. I uroj punë të mbarë në komunat e tyre. Nuk do të ketë hakmarrje, por besoj se iniciativa ka qenë e pavend dhe e pakohë”, deklaroi Abdixhiku.

Sa i përket formimit të institucioneve, kryetari i LDK-së bëri të ditur se partia do të rifillojë diskutimet, pasi deri tani ishin pezulluar për shkak të procesit të brendshëm.

Reklamë

“Prej këtij momenti heq atë çështjen e pezullimit të diskutimeve dhe LDK-ja është e hapur të diskutojë për çështjen e institucioneve”, tha Abdixhiku.

Prijësja e Listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit të 7 qershorit, Vjosa Osmani ka reaguar pas rikonfirmimit të Lumir Abdixhikut kryetar të LDK-së në mbledhjen e mbajtur të enjten nga Kuvendi i partisë.

Sipas saj, fitoret si kjo e Abdixhikut të enjten nuk janë të zakonshme.

“Jo çdo fitore është e zakonshme. Disa fitore bëhen frymëzim. Kjo është njëra prej tyre”, ka shkruar ajo në Facebook.

Reklamë

Ka reaguar edhe Gazmend Muhaxheri, i cili ishte ndër iniciuesit e shkarkimit të Lumir Abdixhikut.

“Rezultati i ngushtë por vullnet i deputetëve të këtij Kuvendi, kryetarit i urojmë fitore, shihemi në herët e tjera”, tha Muhaxheri.

“LDK është shtëpija jonë, nuk përçahet, por mbetet për të ardhmen me vlerësu çfarë ka qenë kjo fitore…Ditet në vijim e tregojnë, e shohim”, tha ai.

I pyetur për akuza kundër tij në fjalimin e Abdixhikut para votimit, Muhaxheri tha:

Reklamë

“E ulët prej tij, por s’kemi çka me bo, duhet me u mësu me këto sene”, tha ai në T7./Reporteri.net/