Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është pyetur në konferencën për media lidhur me idenë që Hashim Thaçi të zgjidhet president i Kosovës në rast se lirohet nga paraburgimi në Hagë.
Kurti e cilësoi luftën e UÇK-së si luftë të drejtë dhe çlirimtare, ndërsa tha se beson në pafajësinë e ish-krerëve.
“Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës dhe organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është luftë e drejtë, çlirimtare, antikolonialiste, kundër okupatorit shekullor serb dhe nuk ka proces gjyqësor, as në vend, as jashtë tij, që mund ta njollosë UÇK-në”, tha Kurti.
Ai shtoi se dëshiron që ish-krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë.
“Ne shpresojmë më të mirën, dëshirojmë që të na kthehen në Kosovë të lirë, besojmë në pafajësinë e tyre dhe kjo është kryesorja”, deklaroi ai.
Megjithatë, Kurti theksoi se procesi për zgjedhjen e presidentit është i ndarë nga çështja gjyqësore.
“Procesi i negociatave me Lidhjen Demokratike të Kosovës për kandidatin për president ose presidente është një proces i ndarë, është proces politik dhe jo i drejtësisë”, tha Kurti. /Reporteri.net/