Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë të ditur se pas zhvillimeve të fundit do të duhet të zhvillohet një takim i ri me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kurti tha se marrëveshja politike mes VV-së dhe LDK-së vazhdon të jetë në fuqi, ndërsa tashmë duhet të diskutohet se si do të procedohet më tej.
“Duhet ta gjejmë rrugën përpara”, tha Kurti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai bëri të ditur se çështja do të rikthehet edhe në strukturat e Vetëvendosjes për të diskutuar hapat e ardhshëm.
Kurti tha se negociatat me LDK-në kanë qenë një proces i gjatë dhe se ekipi negociator i Vetëvendosjes ka punuar për arritjen e një marrëveshjeje.
Kurti ka bërë të ditur se nuk do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm lidhur me marrëveshjen me LDK-në pa u konsultuar sërish me kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhikun, dhe me Kryesinë e Vetëvendosjes.
Ai tha se situata tashmë ka ndryshuar dhe se mandati që kishte marrë nga Kryesia e VV-së duhet të rishikohet në rrethanat e reja.
“Duhet të ritakohem edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, por edhe me Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje, sepse situata ka ndryshuar”, tha Kurti.
Ai shtoi se marrëveshja politike ekziston, por nuk mund të realizohet me numrat aktualë në Kuvend.
“Unë nuk mund të ndërmarr asnjë hap pa u ritakuar me kryetarin Abdixhiku dhe Kryesinë e Vetëvendosjes”, deklaroi Kurti.