×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Çështja e Presidentit
    INSTANT

    Kurti e Abdixhiku takohen sërish, kësaj here “fshehurazi” në zyrën e Vjosa Osmanit

    Reporteri
    02 Shtator 2026 | 16:26

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po zhvillojnë sërish takim mes tyre, kësaj here në zyrën e ish-presidentes Vjosa Osmani, që ka nisur në ora 16:00, merr vesh Gazeta Online Reporteri.net.

    Ndryshe nga takimet e mëparshme mes dy liderëve, të cilat u zhvilluan në ambientet e Kuvendit të Kosovës, siç merr vesh gazeta Online Reporteri.net, takimi i sotëm po mbahet në zyrën e Osmanit në Presidencë.

    Takimi vjen një ditë pasi marrëveshja e arritur mes LVV-së dhe LDK-së për mbështetjen e Bekim Sejdiut për president u vu në pikëpyetje, pas qëndrimit kundërshtues të gjashtë deputetëve të LDK-së.

    Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Kujtim Shala kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin Sejdiun për president. Qëndrimi i tyre shkaktoi përplasje të reja politike brenda LDK-së dhe rrezikon zbatimin e dakordimit të arritur mes dy partive.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje tha se kundërshtimi i gjashtë deputetëve e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa Kurti deklaroi se marrëveshja politike me LDK-në për kandidaturën e Sejdiut mbetet valide.

    Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Kurti kishte paralajmëruar pikërisht një takim të ri me Abdixhikun, duke thënë se situata politike kishte ndryshuar pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së.

    “Duhet të ritakohem me Abdixhikun edhe me kryesinë e LVV-së sepse situata ka ndryshuar krahasuar me takimin që kishim kur kishim 80 deputetë”, kishte deklaruar Kurti.

    Ahmeti-Abdixhikut: Refuzoj të linqohen ata që e kanë mbajtur gjallë LDK-në, ndërsa të përkëdhelen “turistët politikë”

    Reporteri
    02 Shtator 2026 | 19:12

    Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke bërë thirrje për më shumë demokraci të brendshme, dialog dhe tolerancë.

    Ahmeti ka thënë se LDK-ja nuk mund të jetë vetvetja pa këto vlera, duke theksuar se parimet e saj duhet të jenë “të dëgjosh para se të vendosësh, të bindësh e jo të imponosh, të bashkosh e jo të linqosh”.

    “LDK-ja ka lindur nga demokracia, toleranca, bashkëpunimi dhe durimi. Prandaj, është koha që këto vlera të mos mbeten vetëm pjesë e historisë sonë, por të jenë udhërrëfyes i veprimit dhe funksionimit tonë sot”, ka shkruar Ahmeti.

    Ai ka thënë se flet “nga brenda”, duke kundërshtuar, siç është shprehur, linçimin dhe akuzat ndaj njerëzve që kanë kontribuar në LDK ndër vite.

    “Flas nga brenda. Që nga themelimi e deri më sot, në të mirë e në sfida. Dhe pikërisht për këtë refuzoj që kaq lehtë të linqohen e të akuzohen ata që e kanë mbajtur gjallë LDK-në në ditët më të vështira, ndërsa të përkëdhelen turistet politik. Kah kjo kulturë e fyerjeve, linqimeve dhe akuzave? Kjo nuk është trashëgimi, as vlerë e jona”, ka deklaruar ai.

    Ahmeti ka kritikuar edhe mënyrën e komunikimit dhe përplasjet brenda partisë, duke thënë se LDK-ja nuk është ndërtuar me tone të larta apo imponim.

    “Ajo nuk ndërtohet me grusht, me zë të ngritur apo me ton të lartë. Kjo nuk i shkon për fytyrë LDK-së dhe nuk është mënyra se si është ndërtuar historia e saj”, ka shkruar ai.

    Në fund, Ahmeti ka bërë thirrje për më shumë dialog, mirëkuptim dhe respekt brenda partisë.

    “Është koha për më shumë dialog, mirëkuptim dhe më shumë respekt për njëri-tjetrin. LDK-ja është përgjegjësi e përbashkët”, ka përfunduar ai.

    Reagimi i Ahmetit vjen në një kohë tensionesh brenda LDK-së, pasi gjashtë deputetë të partisë kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për President, në kuadër të marrëveshjes politike të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.

    Ymeri: Njëri nga 6 deputetët donte ta dorëzonte mandatin, Abdixhiku nuk pranoi – pastaj tha “le t’i dorëzojnë mandatet”

    Reporteri
    02 Shtator 2026 | 19:06

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka folur pas deklarimit të saj se nuk do ta votojë Bekim Sejdiun për President të Kosovës.

    Në një prononcim për “Nacionale”, Ymeri ka treguar edhe për një diskutim që, sipas saj, ka ndodhur lidhur me mandatet e deputetëve të LDK-së.

    Ajo ka thënë se njëri nga gjashtë deputetët që kanë kundërshtuar kandidaturën e Sejdiut i ka kërkuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që ta dorëzojë mandatin.

    Sipas Ymerit, Abdixhiku e ka refuzuar këtë kërkesë.

    Ymeri më pas ka pretenduar se, pasi Abdixhiku ka dalë nga mbledhja, ai u ka kërkuar deputetëve që të verifikohen mandatet.

    “Kjo është dyfytyrësi e llojit të vet. Ka qenë njëri nga deputetët që ka kundërshtu dje dhe ka thënë: a do ta dorëzojë mandatin? Dhe ky i ka thënë jo. Momentin që ka zbritur poshtë ka thënë: le t’i verifikojnë mandatet”, ka deklaruar Ymeri.

    Përfundon takimi Kurti-Abdixhiku, kreu i LDK-së paralajmëron takime të tjera

    Reporteri
    02 Shtator 2026 | 18:32

    Ka përfunduar takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

    Pas takimit, Kurti nuk është deklaruar për media, ndërsa Abdixhiku ka thënë se do të përpiqen që të takohen sërish.

    “Njoftim i rregullt pas zhvillimeve në dy partitë. Siç e do rendi kur kemi procese diskutuese duhet të njoftojm njëri-tjetrin. E njoftova z.Kurti për atë që ka ndodhë dje, dhe ai më njoftoi mua për zhvillimet.”, tha ai.

    I pyetur se çka do të ndodhë pas këtij hapi, Abdixhiku tha”duhet t’i pyesni ata që kanë vendosur ta dërgojnë Kosovën në një fazë të paqartë.”

    Takimi i sotëm u zhvillua në një kohë kur kandidatura e Bekim Sejdiut për president është përballur me kundërshtimin e një pjese të Grupit Parlamentar të LDK-së.

    Të martën, gjashtë nga 18 deputetët e LDK-së deklaruan se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut për president.

    Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, Abdixhiku bëri të ditur se Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri janë shprehur kundër votimit të Sejdiut.

    Ndërkohë, po të martën është mbajtur edhe mbledhja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

    Pas saj, Kurti tha se deputetët e LVV-së ishin pajtuar për kandidaturën e Sejdiut. Megjithatë, ai theksoi se pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, numri maksimal i votave që mund të sigurojë kandidatura e Sejdiut është 74.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!