×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Deputeti i LDK-së
    INSTANT

    Gashi thotë se Kujtim Shala ka ofruar dje dorëzimin e mandatit: Njëjtë planifikuam edhe ne tjerët – Abdixhiku s’pranoi

    Reporteri
    02 Shtator 2026 | 22:29

    Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se në mbledhjen e grupit parlamentar të LDK-së, Kujtim Shala ia ka ofruar Lumir Abdixhikut dorëzimin e mandatit, pasi ka deklaruar se nuk e voton për president Bekim Sejdiun.

    Gashi tha se njëjtë kanë pasur të veprojnë edhe pesë deputetët e tjerë, por Abdixhiku nuk e pranoi këtë dorëzimin e mandatit të Shalës.

    “E ka ndëpre te Kujtimi dhe ka thënë nuk pranoj me ndërpre mandatin. I keni mendimet e juaja vazhdoni”, ka thënë Gashi në “Debat Plus”.

    Gjashtë deputetë të LDK-së janë shprehur kundër që të votojnë Bekim Sejdiun për President.

    Abdixhiku për Bekim Sejdiun: Është rugovist, kisha frikë se VV në fund do ta prishte marrëveshjen

    Reporteri
    02 Shtator 2026 | 23:31

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur me vlerësim të veçantë për kandidatin e LDK-së, profesor Bekim Sejdiun, duke e përshkruar atë si një figurë të lidhur ngushtë me LDK-në dhe frymën rugoviste.

    “Bekim Sejdiu është LDK në thelb, rugovist në bindje”, tha Abdixhiku në Kanal 10.

    Abdixhiku tha se Bekim Sejdiu vjen nga një familje e pastër rugoviste dhe se rrugëtimi i tij politik e profesional është i lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Ai theksoi se Sejdiu e kishte nisur karrierën në Ankara dhe më pas e kishte vazhduar në Nju Jork, duke përmendur edhe lidhjet e tij familjare me LDK-në dhe institucionet e Kosovës.

    Sipas Abdixhikut, familjarë të profesor Bekim Sejdiut kanë mbajtur pozita të rëndësishme institucionale.

    Kryetari i LDK-së tha se Bekim Sejdiu përfaqëson një profil të lidhur me traditën e LDK-së, prejardhjen rugoviste dhe një formim të gjatë profesional e institucional.

    Gjatë intervistës, Abdixhiku foli edhe për zhvillimet politike dhe marrëveshjet e arritura mes partive, duke thënë se kishte pasur shqetësim se procesi mund të dështonte në momentet e fundit.

    “Kam pasur frikë se në momentet e fundit Lëvizja Vetëvendosje do ta prishte marrëveshjen”, deklaroi Abdixhiku.

    Çitaku: PDK s’ka qenë e interesuar për pazare politike me Kurtin por për institucione, ejani nesër në Kuvend në orën 11:00

    Reporteri
    02 Shtator 2026 | 23:13

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se, nuk ka qenë e interesuar për ‘’pazare politike’’ me Albin Kurtin, por, për institucione.

    Çitaku ka thënë edhe se vendi ka nevojë për institucione, duke i ftuar partitë e tjera që nesër të jenë në parlament në orën 11:00.

    Postimi:

    Është një e pavërtetë e madh të thuhet se , PDK e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për formimin e institucioneve.

    PDK, me këmbëngulje, ka kërkuar konstituimin e Kuvendit, institucionit më të lartë përfaqësues në vend, nga i cili burojnë institucionet tjera.

    Kemi qenë çdo 48 orë në Kuvend.

    Kemi qenë çdo ditë para Qeverisë.

    Kemi kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe funksionimin e institucioneve.

    PDK nuk ka qenë dhe nuk është e interesuar për pazare politike me Albin Kurtin. Kjo është e vërtetë.

    Por për institucione? Gjithmonë.

    Prandaj, ejani nesër në Kuvend. Në orën 11:00.

    Ne jemi aty.

    Kosova ka nevojë për institucione, jo për pazare.

    Gashi: Abdixhiku ka rënë në “kurthin” e Kurtit, si mund t’i japësh shpërblim dikujt që ta rrëzoi qeverinë?

    Reporteri
    02 Shtator 2026 | 22:09

    Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, ka rënë në “kurth” të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.Në Debat Plus, Gashi tha se nuk e sheh si problem emrin e kandidatit për President, duke theksuar se do të mund ta mbështeste cilindo prej deputetëve të LDK-së.

    “Unë po i them sonte Albin Kurtit, merre listën e deputetëve të LDK-së, të paktën 10 i ke që janë me 7-8 mandate deputetë, zgjidhe kë të duash. I votojmë krejt”, tha Gashi.I pyetur nëse do ta mbështeste Anton Çunin, Gashi u përgjigj pozitivisht, duke përsëritur se do të votonte cilindo kandidat nga deputetët e LDK-së.

    Sipas tij, problemi qëndron te marrëveshja dhe mënyra se si është arritur ajo.“Arsyeja është se Albin Kurti ka dashur me përça LDK-në. Fati i keq është se kryetari i LDK-së ka rënë në këtë kurth”, deklaroi Gashi.

    Ai kritikoi Abdixhikun për mbështetjen e kandidaturës së Bekim Sejdiut, duke vënë në pikëpyetje logjikën politike të këtij vendimi.“Qysh mundesh me i dhënë shpërblim dikujt që ta ka rrëzuar qeverinë tënde? A ka logjikë politike? Qysh mundet me ndodhë kjo punë?”, tha Gashi.

    Kurti: Abdixhiku me njoftoi për situatën në LDK, tash na duhet mbledhje e re e Kryesisë për të parë mundësitë si të ecim para

    Reporteri
    02 Shtator 2026 | 21:53

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është deklaruar lidhur me takimin që ka pasur pasditen e sotme, me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.

    Kurti, ka deklaruar se, Abdixhiku e ka njoftuar atë lidhur me situatën që ekziston brenda LDK’së.

    Tutje, Kurti ka shtuar se edhe ai, e ka njoftuar të parin e LDK’së, për diskutimet me grupin parlamentar të VV’së.

    ‘’Nga kryetari Abdixhiku jam njoftuar mbi situatën që ekziston në subjektin e tij. Gjithashtu e njoftove edhe unë për diskutimet me GP të LVV. Tash na duhet një mbledhje e re e Kryesisë për të parë se cilat janë mundësitë që të ecim përpara. Vazhdojmë të jemi optimistë, ndonëse situata është më e vështirë se më parë”, ka thënë Kurti.

    Ndryshe, dje, gjashtë deputetë të LDK’së kanë dalë kundër marrëveshjes së Kurtit dhe Abdixhikut për presidentin, ku është propozuar Bekim Sejdiu për këtë pozitë.

    Ahmeti-Abdixhikut: Refuzoj të linqohen ata që e kanë mbajtur gjallë LDK-në, ndërsa të përkëdhelen “turistët politikë”

    Reporteri
    02 Shtator 2026 | 19:12

    Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke bërë thirrje për më shumë demokraci të brendshme, dialog dhe tolerancë.

    Ahmeti ka thënë se LDK-ja nuk mund të jetë vetvetja pa këto vlera, duke theksuar se parimet e saj duhet të jenë “të dëgjosh para se të vendosësh, të bindësh e jo të imponosh, të bashkosh e jo të linqosh”.

    “LDK-ja ka lindur nga demokracia, toleranca, bashkëpunimi dhe durimi. Prandaj, është koha që këto vlera të mos mbeten vetëm pjesë e historisë sonë, por të jenë udhërrëfyes i veprimit dhe funksionimit tonë sot”, ka shkruar Ahmeti.

    Ai ka thënë se flet “nga brenda”, duke kundërshtuar, siç është shprehur, linçimin dhe akuzat ndaj njerëzve që kanë kontribuar në LDK ndër vite.

    “Flas nga brenda. Që nga themelimi e deri më sot, në të mirë e në sfida. Dhe pikërisht për këtë refuzoj që kaq lehtë të linqohen e të akuzohen ata që e kanë mbajtur gjallë LDK-në në ditët më të vështira, ndërsa të përkëdhelen turistet politik. Kah kjo kulturë e fyerjeve, linqimeve dhe akuzave? Kjo nuk është trashëgimi, as vlerë e jona”, ka deklaruar ai.

    Ahmeti ka kritikuar edhe mënyrën e komunikimit dhe përplasjet brenda partisë, duke thënë se LDK-ja nuk është ndërtuar me tone të larta apo imponim.

    “Ajo nuk ndërtohet me grusht, me zë të ngritur apo me ton të lartë. Kjo nuk i shkon për fytyrë LDK-së dhe nuk është mënyra se si është ndërtuar historia e saj”, ka shkruar ai.

    Në fund, Ahmeti ka bërë thirrje për më shumë dialog, mirëkuptim dhe respekt brenda partisë.

    “Është koha për më shumë dialog, mirëkuptim dhe më shumë respekt për njëri-tjetrin. LDK-ja është përgjegjësi e përbashkët”, ka përfunduar ai.

    Reagimi i Ahmetit vjen në një kohë tensionesh brenda LDK-së, pasi gjashtë deputetë të partisë kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për President, në kuadër të marrëveshjes politike të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.

    Ymeri: Njëri nga 6 deputetët donte ta dorëzonte mandatin, Abdixhiku nuk pranoi – pastaj tha “le t’i dorëzojnë mandatet”

    Reporteri
    02 Shtator 2026 | 19:06

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka folur pas deklarimit të saj se nuk do ta votojë Bekim Sejdiun për President të Kosovës.

    Në një prononcim për “Nacionale”, Ymeri ka treguar edhe për një diskutim që, sipas saj, ka ndodhur lidhur me mandatet e deputetëve të LDK-së.

    Ajo ka thënë se njëri nga gjashtë deputetët që kanë kundërshtuar kandidaturën e Sejdiut i ka kërkuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që ta dorëzojë mandatin.

    Sipas Ymerit, Abdixhiku e ka refuzuar këtë kërkesë.

    Ymeri më pas ka pretenduar se, pasi Abdixhiku ka dalë nga mbledhja, ai u ka kërkuar deputetëve që të verifikohen mandatet.

    “Kjo është dyfytyrësi e llojit të vet. Ka qenë njëri nga deputetët që ka kundërshtu dje dhe ka thënë: a do ta dorëzojë mandatin? Dhe ky i ka thënë jo. Momentin që ka zbritur poshtë ka thënë: le t’i verifikojnë mandatet”, ka deklaruar Ymeri.

    Përfundon takimi Kurti-Abdixhiku, kreu i LDK-së paralajmëron takime të tjera

    Reporteri
    02 Shtator 2026 | 18:32

    Ka përfunduar takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

    Pas takimit, Kurti nuk është deklaruar për media, ndërsa Abdixhiku ka thënë se do të përpiqen që të takohen sërish.

    “Njoftim i rregullt pas zhvillimeve në dy partitë. Siç e do rendi kur kemi procese diskutuese duhet të njoftojm njëri-tjetrin. E njoftova z.Kurti për atë që ka ndodhë dje, dhe ai më njoftoi mua për zhvillimet.”, tha ai.

    I pyetur se çka do të ndodhë pas këtij hapi, Abdixhiku tha”duhet t’i pyesni ata që kanë vendosur ta dërgojnë Kosovën në një fazë të paqartë.”

    Takimi i sotëm u zhvillua në një kohë kur kandidatura e Bekim Sejdiut për president është përballur me kundërshtimin e një pjese të Grupit Parlamentar të LDK-së.

    Të martën, gjashtë nga 18 deputetët e LDK-së deklaruan se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut për president.

    Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, Abdixhiku bëri të ditur se Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri janë shprehur kundër votimit të Sejdiut.

    Ndërkohë, po të martën është mbajtur edhe mbledhja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

    Pas saj, Kurti tha se deputetët e LVV-së ishin pajtuar për kandidaturën e Sejdiut. Megjithatë, ai theksoi se pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, numri maksimal i votave që mund të sigurojë kandidatura e Sejdiut është 74.

     

     

    Kurti e Abdixhiku takohen sërish, kësaj here “fshehurazi” në zyrën e Vjosa Osmanit

    Reporteri
    02 Shtator 2026 | 16:26

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po zhvillojnë sërish takim mes tyre, kësaj here në zyrën e ish-presidentes Vjosa Osmani, që ka nisur në ora 16:00, merr vesh Gazeta Online Reporteri.net.

    Ndryshe nga takimet e mëparshme mes dy liderëve, të cilat u zhvilluan në ambientet e Kuvendit të Kosovës, siç merr vesh gazeta Online Reporteri.net, takimi i sotëm po mbahet në zyrën e Osmanit në Presidencë.

    Takimi vjen një ditë pasi marrëveshja e arritur mes LVV-së dhe LDK-së për mbështetjen e Bekim Sejdiut për president u vu në pikëpyetje, pas qëndrimit kundërshtues të gjashtë deputetëve të LDK-së.

    Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Kujtim Shala kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin Sejdiun për president. Qëndrimi i tyre shkaktoi përplasje të reja politike brenda LDK-së dhe rrezikon zbatimin e dakordimit të arritur mes dy partive.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje tha se kundërshtimi i gjashtë deputetëve e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa Kurti deklaroi se marrëveshja politike me LDK-në për kandidaturën e Sejdiut mbetet valide.

    Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Kurti kishte paralajmëruar pikërisht një takim të ri me Abdixhikun, duke thënë se situata politike kishte ndryshuar pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së.

    “Duhet të ritakohem me Abdixhikun edhe me kryesinë e LVV-së sepse situata ka ndryshuar krahasuar me takimin që kishim kur kishim 80 deputetë”, kishte deklaruar Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!