×
  • Lajme
  • Raporto
  • Shqipëri

    Shpërthim në një pikë karburanti në Tiranë, tre të lënduar

    Reporteri
    09 Shtator 2026 | 8:57

    Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm zonën e Bërrylit në Tiranë, duke shkaktuar plagosjen e tre punonjësve dhe dëme të konsiderueshme materiale në një karburant.

    Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi dyshohet se ka ardhur nga një bombolë gazi në ambientet e karburantit, ku kryhet furnizimi i automjeteve.

    Si pasojë e shpërthimit, një strukturë njëkatëshe është dëmtuar rëndë dhe pjesërisht është shembur. Brenda saj akomodoheshin edhe punonjësit e karburantit.

    Në momentin e ngjarjes, në ambientet e karburantit ndodhej edhe një automjet që po furnizohej me gaz. Nuk dihet ende nëse ka persona të tjerë të përfshirë apo të dëmtuar.

    Tre punonjësit e plagosur janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është bërë e ditur.

    Pas shuarjes së flakëve, zjarrfikësit kanë nisur pastrimin e rrugës, e cila vijon të jetë e bllokuar për qarkullimin.

    Rruga pritet të hapet vetëm pasi të përfundojnë ndërhyrjet dhe të rikthehet situata në gjendje normale, për të garantuar sigurinë e kalimtarëve dhe automjeteve.

    Ndërkohë, në zonë po punohet edhe për largimin e pasojave të shpërthimit. Një fadromë është angazhuar për heqjen e inerteve të mbetura pas shkatërrimit të strukturës së karburantit dhe godinës njëkatëshe ku qëndronin punonjësit.

    Autoritetet dhe grupet e emergjencës vijojnë punën në vendngjarje, ndërsa pritet të përcaktohen me saktësi rrethanat dhe shkaku i shpërthimit./tch

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!