Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se ajo që po ndodh nuk është e rastësishme dhe se bëhet fjalë për një proces që, sipas tij, synon edhe përcaktimin e datës së zgjedhjeve.
Gjini ka kritikuar ashpër veprimet e deputetëve të Vetëvendosjes, duke thënë se situata në Kuvend tashmë ka kaluar përtej, siç i ka quajtur ai, “shkeljeve brutale të Kushtetutës, ligjit dhe rregullores së Kuvendit”.
“Ajo që po e shohim në Kuvendin e Kosovës në këto ditë, e posaçërisht ajo që e pamë sot në Kuvend, tashmë ka kalu prej nivelit të shkeljeve brutale të Kushtetutës, të ligjit dhe rregullores së Kuvendit. Sot e kemi pa edhe anën e errët njerëzore të atyre që janë zgjedh. Mu më duhet me ju thirr sot dhe me ju tregu se, asgjë që po shihni nuk është e rastësishme, krejt është proces i fajësimit edhe i zgjedhjes së datës të zgjedhjeve”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka akuzuar Vetëvendosjen për uzurpim të institucioneve, duke thënë se kjo parti po e dëmton shtetin, institucionet dhe të ardhmen e qytetarëve.
“Njerëzit të cilët ju i keni votuar i kanë uzurpuar institucionet e Kosovës, po e nëpërkëmbin shtetin, këto institucione, të ardhmen tuaj. Mos i votoni më, mos leni që kjo kastë e njerëzve, këta njerëz që nuk e duan Kosovën, as juve që i votni, mos leni me e shkatërru Kosovën”, ka thënë ai.
Gjini ka paralajmëruar se Kosova do të shkojë në zgjedhje, duke u bërë thirrje qytetarëve që, sipas tij, të mbrojnë shtetin dhe demokracinë.
“Kemi me shku në zgjedhje, se vetë kanë vendos me shku në zgjedhje. Është detyrë e juaja, e jona dhe e secilit njeri që jeton në Kosovë me e mbrojt shtetin, demokracinë prej shkatërrimit që po e shkaktojnë këta njerëz. Ndaleni këta njerëz, ndaleni, se vetë nuk e kanë plan me u ndalë”, ka deklaruar Gjini.
Në fund, ai ka pretenduar se zhvillimet e sotme në Kuvend janë pjesë e një taktike për të shtyrë kohën dhe për t’i hapur rrugë caktimit të zgjedhjeve më 27 dhjetor.
“Kjo maskaradë që ndodhi sot në Kuvend është lojë e pastër për të blerë kohë, që zgjedhjet t’i caktojnë me 27 dhjetor. Kjo edhe nëse çmimi është shkatërrimi i institucioneve të shtetit. Ky është mesazhi im dhe i Aleancës për të gjithë qytetarët e Kosovës!”, ka shkruar Gjini.