×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Prishtinë

    Protestuesit largohen nga sheshi “Skënderbeu”

    Reporteri
    16 Shtator 2026 | 23:14

    Qytetarët që po protestonin në sheshin “Skënderbeu” raportohet se janë larguar nga aty, pak para orës 23:00.

    Ata kanë thënë se do të mblidhen edhe nesër po në këtë shesh dhe se do të protestojnë kundër vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Qytetarë të shumtë ishin mbledhur në shesh qysh një natë më parë kur pritej aktgjykimi i Speciales, e në mëngjes po ashtu u mblodhën qindra të tjerë që bashkë dëgjuan verdiktin dënues të gjykatës.

    Protestuesit më pas gjatë ditës nga sheshi në këmbë kanë shkuar tek objekti i EULEX-it, të cilin e kanë gjuajtur me gurë, e janë kthyer sërish në shesh.

    Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

    Specialja ka konstatuar se të katër ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.

    Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!