Ish-diplomati holandez Robert Bosch, i cili ishte ambasador i Holandës në Kosovë në kohën e formimit të Dhomave të Specializuara, ka reaguar ashpër ndaj aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një intervistë për Radio Dukagjinin, Bosch ka thënë se është “tërësisht i shokuar” nga vendimi, duke përmendur dëshmitë e disa prej figurave të njohura ndërkombëtare që dëshmuan në proces, përfshirë Wesley Clark, James Rubin dhe Christopher Hill.

“Pas të gjithë dëshmitarëve si Wesley Clark, James Rubin, Christopher Hill, gjithë këtyre njerëzve me profil të lartë që ishin aty, që thanë se nuk kishte strukturë në UÇK, prandaj Thaçi nuk mund të mbahet përgjegjës për atë që mund të bëjë dikush në terren”, ka deklaruar Bosch, sipas Radio Dukagjinit.

Reklamë

Ai ka kritikuar gjyqtarët dhe prokurorët e Dhomave të Specializuara për mënyrën se si, sipas tij, janë trajtuar këto dëshmi.

“Nëse kjo injorohet tërësisht, nënkupton se diçka nuk është në rregull me gjyqtarët e prokurorët. Mendoj se është ekstremisht ofenduese. Nëse ju si një gjyqtar apo prokuror budalla, e them këtë me respekt, del kundër mendimit të këtyre njerëzve të nivelit të lartë, të cilët s’ke mundësi as t’i fusësh në kalendar, si guxoni ta bëni këtë”, ka thënë ai.

Bosch ka shkuar edhe më tej me kritikat e tij, duke thënë se është shumë i zemëruar me vendimin dhe duke pretenduar se ai është marrë për t’i kënaqur serbët.

“Jam shumë i mërzitur sepse ata ose janë tërësisht budallenjë, ose janë të këqinj, dhe këtë e bëjnë me dashje për t’i kënaqur serbët. Kjo nuk është normale, është abnormale”, është shprehur ai.

Ish-ambasadori holandez ka kritikuar edhe reagimin e Bashkimit Evropian pas aktgjykimit.

Reklamë

“Jam gjithashtu i inatosur me përgjigjen e Bashkimit Evropian. Ata sigurisht nuk mund ta dënojnë këtë vendim, por të thonë se janë shumë të kënaqur me qasjen e drejtë dhe të balancuar të kësaj gjykate, totalisht e panevojshme të thuhet, pasi nuk ishte ashtu. Ishte e pabalancuar, dhe e padrejtë”, ka deklaruar Bosch.

Ai ka thënë se pret që procesi të vazhdojë në Apel, por ka shprehur shqetësim se kjo do të nënkuptojë që ish-krerët e UÇK-së do të qëndrojnë edhe më gjatë në burg.

“Sigurisht do të ketë apel, por kjo nënkupton se këta njerëz të gjorë do të duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në burg edhe më gjatë. Veçanërisht për Thaçin, por edhe për të tjerët, këta njerëz që nuk kanë bërë asgjë të gabuar, ata po tentonin ta çlironin vendin e tyre”, ka thënë ai.

Bosch ka deklaruar se, nëse ndonjë person tjetër nga UÇK-ja ka kryer ndonjë vepër të kundërligjshme, sipas tij, kjo nuk nënkupton përgjegjësi për drejtuesit politikë.

Reklamë

“Nëse disa nga njerëzit e tyre kanë bërë diçka gabim, ata nuk janë përgjegjës për këtë”, ka thënë Bosch.

Ai ka treguar se vetë ka qenë i përfshirë në procesin e krijimit të Gjykatës Speciale, në cilësinë e ndërmjetësuesit mes Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes.

“Unë isha vet i përfshirë në këtë çështje si ndërmjetësues mes Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes, dhe gjatë sesioneve informuese gjithmonë është thënë se UÇK janë ‘me çizme në tokë’, por komunikimi është i vështirë pasi nuk ka strukturë”, ka deklaruar ai.

Bosch ka insistuar se mungesa e një strukture të qartë të UÇK-së ishte e njohur nga personat që kishin hulumtuar këtë çështje.

Reklamë

“Nëse kjo po thuhet nga të gjithë, nga të gjithë që ishin të përfshirë dhe nga të gjithë që kanë marrë mundimin për ta hulumtuar çështjen, e dijnë se kjo është e vërtetë. Si mundeni ju si gjykatës dhe prokurorë ta neglizhoni tërësisht këtë? Kjo është e vërteta”, ka thënë ai.

“Siç e thashë, ka diçka tmerrësisht, tmerrësisht të gabuar me këtë vendim. Ndoshta ata po duan ta destabilizojnë vendin tuaj”, ka shtuar Bosch.

“Nuk pres shumë nga Apeli”

I pyetur për pritjet e tij nga procesi i Apelit, Bosch ka thënë se nuk pret shumë, pasi sipas tij, do të jenë sërish të njëjtët njerëz.

Reklamë

“Problemi sigurisht është se do të jenë përsëri njerëzit e njëjtë, andaj nuk pres shumë”, ka deklaruar ai.

Bosch ka përmendur edhe presidentin amerikan Donald Trump, duke thënë se sipas tij ai duhet të ndërhyjë në këtë çështje.

“Mendoj se pasi presidenti Trump ndërhyn në çdo çështje, duhet të ndërhyjë edhe këtu, sepse kjo ka shkuar shumë larg. Rama e ka provuar këtë më parë, shumë njerëz kanë thënë se kjo Gjykatë duhet të ndalet”, ka thënë ai.

Sipas Boschit, në kohën e krijimit të saj ishte thënë se bëhej fjalë për një “Gjykatë të Kosovës”, por ai ka vënë në pikëpyetje këtë përcaktim.

“E patë siç thuhej në fillim: Kjo është Gjykata e Kosovës. Ata nuk i ndjekin ligjet e Kosovës, nuk kanë njerëz të Kosovës, ka vetëm amerikanë në panelin e gjykatësve dhe prokurorëve, çfarë Kosove ka këtu?”, është shprehur ai.

Bosch ka marrë edhe përgjegjësi personale për rolin që kishte në procesin e krijimit të saj.

“Duke shikuar prapa, ishte një vendim i gabuar, për të cilin edhe unë jam përgjegjës”, ka thënë ai.

Ai ka treguar edhe për një bisedë që kishte pasur me Hashim Thaçin në atë kohë.

“Unë i thashë Thaçit atëherë: Mos u brengos, do të jesh i lirë shumë shpejt, do të lirohesh në mungesë provash, dhe i shkreti i vendosi vetes lakun në fyt. Tani i thonë e bëre vet, vet e kërkove. Jo nuk e kanë kërkuar, janë detyruar ta bëjnë këtë nga njerëz si unë”, ka deklaruar Bosch.

Ai ka thënë se ndihet keq për rolin që kishte, por se në atë kohë kishte vepruar në bazë të udhëzimeve që kishte marrë.

“Ndihem shumë keq për këtë, por ai ishte urdhri që unë morra nga Haga, dhe pasi isha ambasador, më duhej ta përmbushja. Jozyrtarisht e kam bërë të qartë se nuk pajtohesha”, ka thënë ai.

Bosch ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, është pritur aktgjykimi në Serbi.

“Kjo është një gjë e keqe për vendin, për drejtësinë në përgjithësi, dhe të vetmit që po festojnë me gëzim të madh janë njerëzit në Serbi, ku kriminelët e luftës janë në Qeveri apo në krye të ushtrisë duke qeshur. Ata duhej të ishin në burg më shumë se çdokush tjetër”, ka deklaruar Bosch.

Bosch kritikon edhe raportimin për aktgjykimin

Ish-ambasadori holandez ka thënë se ka ndjekur mënyrën se si mediat holandeze kanë raportuar për aktgjykimin, duke kritikuar qasjen e tyre.

“I shikova lajmet holandeze, dhe ato vetëm përsërisin atë që thotë gjykata dhe bëjnë gjoja se kjo është një gjykatë normale, dhe kjo është negative”, ka thënë ai.

Bosch ka kundërshtuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, është paraqitur përgjegjësia e ish-presidentit Hashim Thaçi në rastin e vrasjeve dhe veprave të tjera për të cilat është dënuar.

“Nëse besoni se ish presidenti dhe ish kryeministri Thaçi ishte përgjegjës për 63 vrasje, tortura e gjëra të tjera, kjo është shumë keq. Sigurisht kjo nuk është e vërtetë, por e jep një përshtypje të keqe dhe të padrejtë”, ka deklaruar Bosch.

Në fund, ai ka kërkuar më shumë angazhim në komunikimin publik lidhur me këtë çështje.

“Duhet të ketë marrëdhënie me publikun, rritje të imazhit publik, avokim për këtë kauzë. Dhe sigurisht, referojuni të gjithë këtyre njerëzve të nivelit të lartë që janë në mbështetje të tyre dhe kanë folur për pafajësinë e tyre. Është ofenduese pasi gjykata në një mënyrë i quajti gënjeshtarë, nuk u interesoi çfarë patën për të thënë dhe nuk iu besoi. Kjo është shumë e keqe”, ka përfunduar Bosch.