Në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të zhvillohet në New York, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, e ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Shtëpinë Turke.
Siç ka njoftuar kryeministri Kurti përmes një postimi në Facebook, në këtë takim mes tjerash me presidentin Erdogan kanë diskutuar edhe për aktvendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Me Presidentin Erdoğan diskutuam edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që patjetër duhet të korrigjohet në Apel”, ka shkruar Kurti duke bërë të ditur se e ka ftuar presidentin Erdogan të vijë për vizitë në Kosovë.
Tutje Kurti ka thënë se gjatë këtij takimi ka shprehur edhe mirënjohje për rolin e Turqisë në KFOR dhe kontributin në sigurinë e ofruar në Kosovë dhe gjithashtu bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe investimeve, duke iu referuar fabrikës së muinicionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec.
“Në anën tjetër, shpreha mirënjohje për rolin shumëvjeçar të Turqisë në KFOR dhe për kontributin e rëndësishëm që ajo vazhdon të ketë për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, duke theksuar profesionalizmin e Gjeneralmajor Özkan Ulutaş gjatë dy mandateve të tij si komandant i forcës së NATO-s në vendin tone”, thuhet në postimin në Facebook.
Edhe gjatë këtij takimi, Kurti ka bërë të ditur se e kanë ngritur çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Një çështje tjetër të diskutimit që ngritëm së bashku me Kryetaren e Preshevës Ardita Sinani ishte diskrimimi i vazhdueshëm dhe sistematik i shtetit të Serbisë ndaj komunitetit shqiptar atje, nga pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave e nënpërfaqësimi në secilin institucion shtetëror atje. Simetria e të drejtave të komuniteteve në vendet tona përkatëse është qasja dhe mënyra e domosdoshme për trajtim të drejtë dhe barabartë. Kosova dhe Turqia do të vazhdojnë të thellojnë marrëdhëniet miqësore, sikurse do të rrisin e forcojnë edhe relacionet ekonomike e tregtare. Në fund, me kënaqësi i bëra ftesë Presidentit Erdoğan për vizitë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Kurti duke ia bashkangjitur videon e takimit me presidentin Erdogan.