Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se drejtorja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, lirohet nga detyra pas masës së arrestit shtëpiak të vendosur ndaj saj.

Rama, i cili ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka reaguar lidhur me zhvillimet ndaj Hysenit, duke thënë se çdo dyshim i ngritur nga organet e drejtësisë duhet të hetohet dhe të zbardhet përmes një procesi të pavarur gjyqësor.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye”, ka shkruar Rama.

Reklamë

Ai ka theksuar se qeveria nuk do të ndërhyjë në çështjet e drejtësisë dhe nuk do të bëjë avokatinë e personave që përballen me organet e drejtësisë.

“Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës”, ka deklaruar Rama.

Në fund, kryeministri ka bërë të ditur se lirimi i Hysenit nga detyra do të jetë i menjëhershëm dhe se drejtuesi i ri i SHISH-it do të zgjidhet pas kthimit të tij në Tiranë, në konsultim me Presidentin e Republikës.

“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, ka shkruar Rama.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës, GJKKO kishte caktuar ndaj Hysenit masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga ushtrimi i detyrës, pas kërkesës së SPAK-ut.

Reklamë

Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.

— Edi Rama (@ediramaal) September 22, 2026